Reagime në botë pas lajmit të vdekjes së Alexei Navalny-t

Rusia është përgjegjëse për vdekjen në burg të liderit të opozitës Alexei Navalny-t, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, pasi që agjencitë e lajmeve ruse duke e cituar shërbimin e burgut publikuan se Navalny ka vdekur në burg, transmeton Portalb.mk.

“Vdekja e tij në burgun rus dhe frika e një personi vetëm thekson dobësinë dhe ligësinë e sistemit që e ka ndërtuar Putini”, deklaroi Blinken në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut  në Gjermani, raporton Reuters.

Blinken tha se nëse raportet për vdekjen rezultojnë të vërteta,  Shtetet e Bashkuara do të bisedojnë me shumë shtete të shqetësuara për Alexei Navalny-n.

Rusia është përgjegjëse për këtë”, tha Blinken.

Më herët, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se SHBA po kërkon në mënyrë aktive konfirmimin e vdekjes së Navalny.

Sullivan shtoi se historia e gjatë e Kremlinit për të dëmtuar kundërshtarët e tij “ngre pyetje reale dhe të dukshme për atë se çka ka ndodhur këtu”.

Bashkimi Evropian tha se e konsideron presidentin rus Vladimir Putin të vetmin përgjegjës për vdekjen në burg të liderit të opozitës.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, e quajti Navalny-n “një njeri shumë të guximshëm që ka dedikuar jetën e tij për të shpëtuar nderin e Rusisë, duke u dhënë shpresë demokratëve dhe shoqërisë civile”, transmeton Deutsche Welle.

Përderisa priten informata shtesë, le të jemi të qartë: kjo është përgjegjësia e vetme e Putinit”, shkruajti Borrell në rrjetin social X.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se lajmi për vdekjen e Navalny-t është një “kujtues i errët se kush është Putini dhe regjimi i tij”.

“Putini nuk frikësohet nga asgjë përveç të mospatimit nga poulli i tij”, shkruajti Von der Leyen në X.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë t’u përgjigjet “të gjitha pyetjeve serioze në lidhje me rrethanat e vdekjes së tij”.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak e nderoi liderin e opozitës ruse, duke i përshkruar raportet për vdekjen e tij si “lajme të tmerrshme”.

“Si përfaqësues më i flaktë i demokracisë ruse, Alexei Navalny tregoi guxim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Mendimet e mia janë me gruan e tij dhe popullin e Rusisë, për të cilët kjo është një tragjedi e madhe”, thuhet në postimin e Sunak në X.

Ndërkaq, nëna e Alexei Navalny-t, Lyudmila Navalnaya, tha se djali i saj ka qenë “i gjallë, i shëndetshëm dhe i lumtur” kur e ka parë për herë të fundit të hënën, raporton Guardian.

“Nuk dua të dëgjoj asnjë ngushëllim. E pamë në burg në datën 12, në një takim. Ai ishte i gjallë, i shëndetshëm dhe i lumtur”, ka shkruar ajo në postimin e saj në Facebook.

Shërbimi i burgjeve ruse njoftoi mëngjesin e ditës së premte se Navalny kishte vdekur. Ai vuante shumë burgime të gjata për krime që i kishte mohuar. Me akuzat është përballur pasi është kthyer në Rusi, pas  mjekimit në Gjermani pasi që u helmua në gusht të vitit 2020. Ai është arrestuar menjëherë pas arritjes në aeroport.