Ramazani është institucion për formimin e personalitetit të shëndoshë të njeriut

Sipas koncepcionit islam, për formimin e personalitetit të shëndoshë të njeriut dhe për përcaktimin e aktiviteteve të tij, muajit të Ramazanit i takon një vend mjaft me rëndësi. Ai luan rol  me rëndësi të jashtëzakonshme gjatë formimit të përsosmërisë së  tij në të gjitha aspektet jetësore.

Myslimanët e gjithë  botës, duke e kuptuar rëndësinë e Ramazanit, me gëzim dhe kënaqësi të madhe e presin këtë muaj, të vetëdijshëm se ky muaj është muaj i dimensioneve të llojllojshme, muaj i agjërimit, muaj i Kuranit, muaj i bereqetit, muaj i rahmetit dhe magfiretit, muaj i shëndetit, i dashurisë dhe i solidaritetit ndërnjerëzor…

Muaji i Ramazanit, muaj i metodologjisë së vërtetë të të menduarit njerëzor

Muaji i Ramazanit paraqet  kohën në të cilin filloi zbritja e Kuranit famëlartë Muhamedit (a. s.), respektivisht  imperativi i parë që i dërgoi Allahu fuqiplotë për të lexuar, studiuar, vrojtuar etj. Me këtë imperativ  u vendos njëherë e përgjithmonë metoda e vërtetë e të kuptuarit të plotë,  e të kuptuarit të Krijuesit, të botës dhe të njeriut në përgjithësi, koncept ky që  njeriun e drejton drejt njohjes që mbështetet  në studim, në vrojtim, analizim, hulumtim etj., në të gjithë krijimtarinë  e  Allahut fuqiplotë. Me këtë iu dha fund mënyrës së të besuarit dhe të menduarit të verbër,  si dhe metodës së deriatëhershme  përmes magjisë, ëndrrave, fallit, besëtytnive të kota, parashikimeve të pavërteta etj. Nga kjo ai paraqet arsimuesin e vërtetë për tërë njerëzinë.

Ky koncept i trasuar mu në këtë muaj i hapi rrugët e dijes dhe të njohjes,  duke e ngritur shoqërinë njerëzore në piedestalin më të lartë dhe kjo solli begatinë e zhvillimeve më të mëdha në botë në të gjitha sferat e jetës njerëzore,  duke shënuar epoka të fuqishme në ardhmërinë e njerëzimit.

Në të njëjtën kohë, përmes Kuranit famëlartë njeriu u largua  nga besimet e kota dhe të deformuara, duke  i treguar njeriut se është i krijuar për të  besuar dhe për të respektuar vetëm Allahun (xh. sh.), Krijuesin e qiejve dhe gjithçka që ekziston. Kurani famëlartë e çliroi njeriun nga prangat e të menduarit të verbër dhe të errët, dhe e mësoi njeriun t’u përgjigjet pyetjeve: kush është ai, çka është qëllimi i krijimit të tij, si të jetojë,  si ta sigurojë fatin në këtë dhe në botën tjetër dhe,  më në fund, si të  vdesë?  Ai është udhërrëfyes dhe dritë që ndan të vërtetën nga e pavërteta, që ndan dritën nga errësira. Këtë e vërteton Kurani famëlartë kur thotë:

”Muaji i ramazanit është ai në të cilin filloi të shpallet Kurani, udhëzim për njerëzit dhe argument i qartë i rrugës së drejtë dhe dallimit të mirës nga e keqja.”  (El Bekaretu)

Ramazani është muaj i agjërimit

Muaji i Ramazanit, përveç që është  muaji në të cilin ka filluar të shpallet Fjala e Allahut (xh. sh.) njerëzisë, është edhe muaj i agjërimit  të detyreshëm. Kjo edhe më tepër e lartëson  këtë muaj të bekuar. Agjërimi i këtij muaji u bë obligim i detyrueshëm (fard) natën e dytë të muajit Sha’ban në vitin e dytë hixhri me fjalët e Allahut (xh. sh.):

“O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin  detyrë edhe ata para jush; ndoshta do të bëheni të devotshëm.”

(El Bekaretu:183)

Sipas kuptimit etimologjik, fjala “Es Sijam” do të thotë “abstenim nga diçka”, ndërsa sipas kuptimit terminologjik të Sheriatit islam do të thotë:  ”abstenim nga ngrënia, nga pija dhe marrëdhëniet seksuale brenda ditës,  me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut (xh. sh.)”.

Pra, agjërimi i muajit të Ramazanit është veprim i detyrueshëm për çdo mysliman dhe myslimane të moshuar, psikikisht dhe fizikisht të aftë e të shëndoshë. Këtë bukur e shpjegon Kurani famëlartë:

“Në ditë të caktuar me numër, por ai nga ju, i cili është sëmurë ose në udhëtim- atëherë ditë të caktuara me numër. Ndërsa ata që nuk mund ta mbajnë – kompensimi është të ushqejë një varfanjak. Dhe, kush jep më tepër, vullnetarisht, ajo është më mirë për atë.”  (El Bekaretu:184)

Shprehja kuranore  “në ditë të caktuara me numër“ ka të bëjë me llogaritjen e muajve  sipas hënës dhe ky numër është 29 ose 30 ditë, ndërsa shprehja “i sëmurë” në këtë ajet kuranor ka për qëllim të sëmurin  prej ndonjë sëmundje të përkohshme, por dhe femrën shtatzënë, femrën me fëmijë për gjiri, femrën në ditët e menstruacionit (hajd dhe nifas), e me shprehjen kuranore “ata që nuk mund ta mbajnë” ka për qëllim plakun  e mbetur ose atë që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, pa shpresë për shërim.