Rama sërish i bën thirrje Serbisë për lirimin e tre policëve të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje përsëri Serbisë që të lirojë tre policët e Kosovës, duke deklaruar se mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme, raporton Anadolu.

Në një konferencë për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama thekoi se nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë për sa kohë që Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët sipas tij nuk kanë kryer asnjë krim.

“Unë sot e përsëris apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte të tre efektivëve të Policisë së Kosovës, jo vetëm se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, por sepse pa u kthyer në shtëpi ata tre burra nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e de-eskalimit”, tha Rama.

Rama tha se u ka dërguar letër presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, mbi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Pardje i kam nisur një letër të dytë pas asaj të draft-statutit (të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë), presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, për dijeni edhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e SHBA-së, që plani franko-gjerman të zbatohet me doemos”, tha Rama.

Duke iu referuar edhe tensioneve dhe përplasjeve rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Rama tha se “kjo situatë i shkon përshtat vetëm një fuqie, që është Rusia, nuk i shkon përshtat asnjë tjetri”.

I pyetur nëse do të vijojnë takimet mbi nismën “Ballkani i Hapur”, Rama tha: “Jo nuk ka asnjë takim, nuk ka asnjë zhvillim tjetër. Çdo kanal komunikimi ka vetëm një fjali: Lironi tre policët e Kosovës”.

Kujtojmë se në fund të majit shpërthyen tensione në veri të Kosovës, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës asistuan kryetarët e rinj të komunave. Më pas, protestuesit u përleshën me trupat e KFOR-it, ku u plagosën dhjetëra ushtarë ndërkombëtarë dhe protestues.

Më 14 qershor, Policia e Kosovës njoftoi se “ka ndodhur një rrëmbim klasik nga forcat serbe”, i tre policëve të Kosovës.

Ndërkohë, kryeministri Rama konfirmoi më parë se presidentit francez dhe kancelarit gjerman u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Kosovë.