Rabotniçki – Shkëndija, ndeshja kryesore e kësaj jave në Ligën e Parë
Gjashtë ndeshjet e javës së XIII-të do të luhen të dielën, ku ndeshja kryesore do të luhet në Shkup, ndeshje ku Rabotniçki do të përballet me Shkëndijën. Këto dy ekipe janë në garë të ngushtë për vendin e parë, transmeton Portalb.mk.
Rabotniçki gjendet në pozitën e parë me 24 pikë, ndërsa Shkëndija e dyta me një pikë më pak.
Në kohë të njëjtë, duke filluar prej orës 13:00, do të luhet edhe ndeshja ndërmjet Besës së Dobërdollit dhe Strugës, Shkupi kundër Gostivarit, Voska kundër Tikveshit dhe Akademia Brera kundër Sileksit.
Të dielën, duke filluar prej orës 19:0 do të luajë Pelisteri kundër Vardarit, ekip i cili gjendet në pozitën e fundit të tabelës.
Në vendin e katërt gjendet Gostivari me 21 pikë, Struga e pesta me 19 pikë, Shkupi e gjashta me 16 pikë, Besa e nënta me 12 pikë, ndërsa Voska e dhjeta me 10 pikë.
Për herë të parë në këtë sezone, gjysma e ekipeve në Ligën e Parë janë ekipe shqiptare, gjashtë nga dymbëdhjetë ekipet: Struga, Shkupi, Shkëndija, Gostivari, Voska dhe Besa e cila tani është inkuadruar. Ndërkohë në garën për Kupën e Maqedonisë së Veriut kanë mbetur edhe tetë ekipe: Struga, Shkëndija, Gostivari, Arsimi, Sileksi, Vardari, Akademia Brera dhe Detoniti.
Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin. Në garën për fitues në sezonin e kaluar në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.