Studentët e Maqedonisë së Veriut deri të martën do të mund të aplikojnë për shujtat studentore

Prej sot e deri më 5 nëntor, studentët e Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë në Ministrinë për Arsim dhe Shkencë për shfrytëzimin e shujtave studentore, transmeton Portalb.mk.

“Është hapur afati për regjistrim për të drejtën e racionit të subvencionuar të studentëve për vitin akademik 2024-2025. Të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet, ndërsa nuk kanë aplikuar deri më tani, mund të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk/.”, raporton Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Studentët do të mund të kërkojnë ndihmë për aplikim përmes adresës  [email protected].

“Mbështetja financiare është në vlerë prej 140 denarë dhe është e dedikuar për blerjen e ushqimit, të cilën studentët mund ta shfrytëzojë nga e hëna deri të shtunën, tek personat juridikë të cilët prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqime”, sqaroi Ministria.

Çfarë është “vakti i subvencionuar për studentë”?

Vakti i subvencionuar për studentë paraqet mbështetje financiare në shumë prej 140 denarë në ditë të cilat studenti i merr nga shteti përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për blerjen e ushqimeve.

Të drejtë për vakte të subvencionuara kanë të gjithë studentët e rregullt – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët nuk janë në një marrëdhënie të rregullt pune, nuk janë të regjistruar si bujq individualë dhe nuk kanë të ardhura mujore mbi asnjë bazë më të madhe se paga minimale neto në vitin aktual.

Të drejtë për vakte të subvencionuara kanë të gjithë studentët që i plotësojnë kushtet e mësipërme, pa dallim nëse studiojnë në universitet shtetëror apo privat.

Të drejtë për vakte të subvencionuara, nga ana tjetër, nuk kanë studentët me korrespodencë.