‘Qyteti i Sigurt’ deri në fund të vitit pritet të hyjë në fuqi edhe në Strumicë
Strumica pritet të jetë një nga qytetet e radhës ku deri në fund të vitit do të zbatohet sistemi ‘Qyteti i Sigurt’, transmeton Portalb.mk.
Këtë e bënë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme pas takimit të djeshëm të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev me kryetarin e komunës së Strumicës, Petar Jankov.
“Biseduesit diskutuan edhe për projektin „Safe City“, ku u theksua se planifikohet implementimi i tij në Strumicë deri në fund të vitit, si pjesë e përpjekjeve për të futur zgjidhje moderne teknologjike në funksion të sigurisë”, thanë nga MPB.
Edhe pse nga MPB kanë theksuar se pojekti “Qyteti i Sigurt” është planifikuar të zgjerohet në territorin e gjithë vendit gjatë vitit 2026, nga ky institucion nuk kanë dhënë detaje rreth afateve kohore.
Sipas raportimeve paraprake, mësohet se qytetet e radhës ku pritet të zgjerohet ky sistem do të jenë, Velesi, Ohri dhe Struga.
Kujtojmë se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit. Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ funksionon vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.