Quo Vadis, Maqedoni e Veriut?

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale e kanë ripërcaktuar peizazhin politik në Maqedoninë e Veriut, edhe pse në shikim të parë duken si vazhdim i trendeve ekzistuese. VMRO-DPMNE arriti një fitore të thellë, duke konsoliduar pushtetin në të gjitha nivelet. Ajo që bie në sy, megjithatë, është se kjo fitore erdhi pavarësisht se partia në fjalë mori më pak vota sesa në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar. Numrat mund të kenë lëvizur pak, por balansi politik është zhvendosur në mënyrë dramatike.

Nga ana tjetër, në të bllokun politik shqiptar gara ishte e ashpër dhe thellësisht e polarizuar. Koalicioni qeverisës VLEN, tashmë një vit në aleancë me VMRO-DPMNE-në, shënoi fitore të rëndësishme, ndërsa rivali i tij kryesor, koalicioni AKI, luftoi fort për të ruajtur pozitat e veta. Një pjesë e madhe e debatit publik ndërshqiptar u përqendrua pikërisht në këtë rivalitet: në retorikën e ashpër të fushatës, akuzat e ndërsjella dhe tensionet mes AKI-së dhe VLEN-it. Megjithatë, përqendrimi vetëm në këtë dimension rrezikon të na shpërqendrojë nga pamja më e gjerë.

Ajo që ka rëndësi reale në këto zgjedhje nuk është përplasja e brendshme brenda kampit shqiptar, por transformimi më i gjerë që ka ndodhur në sferën politike të Maqedonisë së Veriut: rrënimi pothuajse total i LSDM-së dhe dominimi i pakontestuar i VMRO-DPMNE-së. Lidhja Social-Demokrate, dikur një forcë kyçe në skenën politike, sot është bërë pothuajse e parëndësishme. Shkatërrimi i saj nuk shënon vetëm dështimin e një partie, por edhe dështimin e një ideje politike, asaj të një Maqedonie të Veriut qytetare, pro-evropiane dhe të orientuar drejt reformave, asaj ideje që siç duket vetë LSDM tani më nuk i beson.

Pasojat e këtij ndryshimi janë të thella. Dominimi i VMRO-DPMNE-së, i kombinuar me qasjen e saj tradicionale konservatore dhe nacionaliste, tregon se vendi po hyn në një periudhë të gjatë stabiliteti politik nën një qeverisje të djathtë, por stabilitet që mund të vijë me koston e zëvendësimit të thellësisë demokratike me elemente të demokracisë joliberale, degradimit të gjithëpërfshirjes dhe flijimit të idesë së integrimit evropian. Pavarësisht se cila parti shqiptare merr më shumë komuna, poste ministrore apo bëhet pjesë e koalicionit, drejtimi i përgjithshëm i politikave shtetërore me shumë gjasë do të mbetet nacionalist, i mbyllur dhe skeptik ndaj reformave që kërkon Brukseli.

Kjo gjendje nuk u krijua brenda natës. Ajo është rezultat i gabimeve politike të bëra në vazhdimësi duke filluar pothuajse një dekadë më parë, kur vendi festonte fundin e kapjes së shtetit dhe fillimin e një epoke të re demokratike. Koalicioni LSDM–BDI, që erdhi në pushtet në vitin 2017, kishte një mundësi historike për të transformuar institucionet, për të luftuar korrupsionin dhe për të sjellë përfundimisht vendin në rrugën evropiane. Në vend të kësaj, të dy mandatet e atij koalicioni u karakterizuan nga përçarje të brendshme, mosbesim i ndërsjellë dhe ego politike. Në fushatat zgjedhore paraprake, LSDM dhe BDI dukeshin më të interesuara të sulmonin njëra-tjetrën sesa të mbronin bashkë vlerat e demokracisë dhe integrimit evropian që i kishin bashkuar në fillim.

Kur kësaj i shtohen skandalet e shumta të korrupsionit, politizimi i institucioneve publike dhe zhgënjimi në rritje i qytetarëve, rezultati që shohim sot ishte pothuajse i pashmangshëm. Elektorati është larguar jo vetëm nga socialdemokracia si forcë politike, por edhe nga vetë ideja e saj si model i vlefshëm për këtë vend. Ajo që mbetet sot është një peizazh i dominuar nga nacionalizmi konservator në njërën anë dhe pragmatizmi i fragmentuar në anën tjetër.

Pra, quo vadis, Maqedoni e Veriut? Harta politike duket e zymtë. Ne jemi të bllokuar politikisht, institucionalisht dhe moralisht mes një rruge drejt BE-së që duket gjithnjë e më e largët dhe një politike të brendshme që riciklon formula të vjetra ndarjeje dhe frike. Pa një rilindje të sinqertë të lidershipit demokratik dhe të vizionit qytetar, Maqedonia e Veriut rrezikon të bëhet pikërisht ajo prej së cilës u përpoq të shpëtojë: një vend i ngujuar në historinë e vet, duke parë Evropën të zhduket gjithnjë e më tej në horizont.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.