Qeveria: Masat ndaj Kosovës do të ishin të padrejta, insistojmë në sundimin e ligjit

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, deklaroi se Kosova ka një qasje parimore ndaj Bashkimit Evropian, edhe në temën e veriut, për të cilën siç tha ai, ka dallime në rrugën e zgjidhjes së çështjes.

Ai deklaroi të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, se masat e mundshme që BE-ja do t’ia vendoste Kosovës do të ishin të padrejta, pasi sipas tij, Kosova s’ka sjellje agresore, por parimore.

“Kosova në qendër ka sundimin e ligjit, pra ne në radhë të parë t’i qëndrojmë besnikë sundimit të ligjit, e të kujdesemi që ata që kanë bërë sulme të kenë pasoja. Nuk mund të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga 29 maji. Në veprimet tona të ardhshme që përfshijnë edhe zgjedhjet e parakohshme, të mos na dërgojnë në të njëjtën situatë si në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Pos gatishmërisë, ka edhe qëllimin për të gjetur rrugëdalje drejt një shtensionimi të situatës. Sa i përket masave, nga fillimi kur kanë dalë diskutimet e para për mundësinë e masave të tilla, i kemi konsideruar si të padrejta dhe jo fer në raport me Kosovën, pasi Kosova nuk ka sjellje agresore, por parimore për sundimin e ligjit”, deklaroi Kryeziu.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti po insiston në sundimin e ligjit, e pos situatës, “ne vazhdojmë të konsiderojmë BE-në aleat të pandryshueshëm”.

“Në të njëjtën kohë, në raport me Bashkimin Evropian, edhe kur kemi qenë kritikë, s’kemi qenë as cinikë, e as të hidhëruar. Çështja në veri është në radhë të parë përkushtim i respektimit të procedurave ligjore. Për gjatë gjithë kohës, kemi qenë besnikë ndaj ligjeve dhe Kushtetutës, por edhe i kemi qëndruar besnikë parimeve e vlerave, e bazë e tyre është sundimi i ligjit”, deklaroi ai.

Kryeziu theksoi se nga 29 maji është dëshmuar që prezenca e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veriun e vendit është e nevojshme.