Qeveria i ka ndërprerë punimet për stadiumin e Tetovës

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë solli vendim që të ndërpriten punimet për stadiumin e ri në Tetovë të cilat filluan muajin e kaluar. Reagoi kryetari i Komunës së Tetovës, e konsideroi si dëm ndaj qytetit, shkruan Portalb.mk.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut informoi se ka kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave në lidhje me Stadiumin e Tetovës, i cili me vendim të Qeverisë në vitin 2015, i është dhënë në shfrytëzim të përhershëm, pa kompensim Komunës së Tetovës.

“Komuna, siç theksohet, pa bazë ligjore, ia ka dhënë Stadiumin në shfrytëzim të përhershëm NP “Tetova transport”. Edhe kryetari i komunës së Tetovës, Komuna Tetovë dhe NP “Tetova transport” në një manifestim publik kanë promovuar projektin për rrënimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri të qyteti”, thonë nga Qeveria.

Qeveria thekson se sipas dispozitave të Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet në pronë shtetërore dhe me sendet në pronë komunale, sipas së cilave kompetencë të lejojë shfrytëzim të përhershëm dhe të përcaktojë përfundimin e së drejtës së shfrytëzimit, ka vetëm Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë informacione të plota lidhur me statusin e Stadiumit të Ri të Futbollit – Tetovë, PK nr. 11476. Në ndërkohë, t’i dërgohet një udhëzim Komunës së Tetovës, që të ndërpriten punimet në terren, derisa të ketë zgjidhje ligjore të rastit. Gjithashtu, Qeveria vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me rekomandim, për të marrë parasysh urgjencën e këtij rasti dhe të deklarohet për Iniciativën e paraqitur për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së veprimit në të”, theksuan nga Qeveria.

Qeveria paralajmëroi edhe kallëzim penal për këtë rast.

Nga ana tjetër ka reaguar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Këtë vendim e konsideroi si dëm ndaj Tetovës.

“Pas shkatërrimit 8 vjeçar që ia bën tetovarëve, qeveria në ikje vazhdon edhe më tej të dëmtojë Tetovën dhe qytetarët e saj. Këtë here duke sjell vendim për ndërprerjen e punimeve në stadiumin e qytetit të Tetovës. Edhe njëherë dëshmuat se kush jeni ju, dëshmuat se vetëm dëm i keni bërë këtij vendi. Me vendime të tilla nuk na ndaloni të punojmë për qytetarët tanë. Stadiumi do bëhet, pavarësisht se nuk ju vjen mirë juve, qeveria e punës po vjen”, tha Kasami.

Me 17 maj, Darijan Sotirovski, drejtor aktual i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë dhe grupet fetare, shkroi se Komuna e Tetovës po shkatërron pronën shtetërore, konkretisht stadiumin e qytetit.

“Në Gjykatën Kushtetuese kam dorëzuar Iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit të kontestuar të Këshillit të Komunës së Tetovës. Kam paraqitur ankesë edhe në Prokurorinë e Shtetit më 29 prill 2024, e cila është një autoritet i thirrur për të mbrojtur pronën shtetërore. Kam marrë aktvendim me shkrim nga Prokuroria e Shtetit, ku konfirmohen pretendimet e mia dhe konstatohet shkelje e ligjit. Nëse qytetarët do të ishin të zhurmshëm, avokatët këmbëngulës dhe institucionet të kujdesshme dhe të përditësuara, kjo nuk do të na ndodhte”, tha Sotirovski.

Kujtojmë që aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit filluan me 12 prill 2024, planifikohet të ndërtohet stadium i ri ndërsa pritet të jetë gati për tre vjet.

Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.

Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.

Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.

Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.

Këshilli i Komunës së Tetovës me 15 mars 2023 solli vendim me të cilin jep garanci për realizimin e këtij projekti i cili menaxhohet nga ana e NP ‘Tetova Transport Tetovë’ se nëse gjatë realizimit të projektit kapital paraqiten rreziqe financiare të cilat nuk mund t’i mbulojë NP ‘Tetova Transport’, në rast të tillë Komuna e Tetovës do t’i marrë obligimet të cilat burojnë nga marrëveshja e nënshkruar.

Në lidhje me atë se me çfarë mjetesh do të bëhet ky projekt, Kasami ka deklaruar se do bëhet me para të komunës, të cilat do sigurohen nga të hyrat e komunës prej pagesave të qytetarëve, ai theksoi se nuk është paraparë ndonjë hua. Megjithatë Komuna e Tetovës është në gjendje të rënduar financiare me borxhe.

Tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit u hap me 22 nëntor 2023, ndërsa për të njëjtin janë bërë një maratonë premtimesh.

Kryetari i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2023 ka deklaruar disa herë për rikonstruimin e stadiumit, në nëntortetorkorrik dhe maj. Edhe vitin 2022 disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti. Rikonstruimin Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra e qytetit “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.