“Barrierat laramane” hapet ekspozita e pikturave të Bilgaip Koçishtes – Biges

Sonte në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup në orën 19.30 do të hapet ekspozita e Bilgaip Koçishtes ose siç e njohin të gjithi Biges. ‘’Barrierat laramane’’ paraqet një nga ekspozitat më të rëndësishme në karrierën e Biges, njofton Portalb.mk

Mure si pengesa, bllokime, kufizime, rezistenca, pengesa, parandalim… Të gjitha këto janë sinonime të barrierave për të cilat flet ekspozita e sotme.

Nga e mërkura, pra sonte, më datë 22 maj në orën 19.30 do të hapet ekspozita e Biges që flet për barrierat. Por ç’janë barrierat, si na shfaqen në jetë, për cilat barriera e ka fjalën piktori, për Portalb.mk Bige thotë:

“Barrierat, si t’i shprehim të gjitha këto? Megjithatë, unë zgjodha disa nga mënyrat e mia të të shprehurit, pra mbi rrëfimin (shprehjen) abstrakte të pikturës, murin dhe teksturën e murit të kohëve të vjetra, të vrazhda dhe të buta, dhe gjurmë të kohërave të ndryshme të hershme që kanë diçka për të thënë, në vetvete. është në një farë mënyre,… si peizazhe abstrakte, mure të jashtme të vjetra, ndonjëherë duken si tipare të vrazhda të fytyrave, si segment arti”.

Si të gjithë artistët që janë në kërkim të motiveve të reja, nxitjeve të reja edhe Bige sigurisht nuk ka shpëtuar pa një ngacmim të jashtëm, ai për këtë gjë shprehet:

“Motivi bazë i treguar është motivi i barrierës. Që në fillim të reflektimit, ai u shfaq fjalë për fjalë, dhe pak më vonë u reduktua në një simbol pengues, d.m.th. i shprehur në mënyrë abstrakte, por realiste për sa i përket perceptimit. përsërisin shfaqjet dhe unë u jap një pamje të re vlerat simbolike, kontekstuale dhe konceptuale. Unë i gjej ata krijues në ngjarjet e përditshme. Sfida e aktrimit dhe ky kërkim artistik është një pasqyrim i ngjarjeve të përditshme dhe përvojave personale. Pengesat për veprat e reja janë pasojë logjike e punës sime të mëparshme. Simbole të caktuara elementet e veprës mund të interpretohen në disa mënyra dhe në këtë mënyrë audiencës i prezantohen shumë tema dhe varet vetëm nga perceptimi i audiencës se cila do të jetë dominuese.”

Publiku është i ftuar të merr pjesë në këtë ekspozitë dhe t’i shijoj veprat artistike të ekspozitës në fjalë.

Për ata që dëshirojnë një mendim profesionisti mbi ekspozitën ja dhe një mendim i një profesionisti si prof.Mexhait Pollozhani .

ABSTRAKTJA SI POETIKË E RE KRIJUESE

Të flasësh për pikturën abstrakte është një, kurse të shkruash për të, është gjë tjetër, pasi që pothuajse nuk ka njeri që nuk ngatërrohet kur ndeshet me këtë lloj arti. Disa pika, fusha me ngjyrë të pastër, njolla, apo një lëmsh vijash mbi pëlhurë duken sikur nuk ngjallin asnjë lidhje midis tyre. Por, duke u nisur nga thënia e Pjer Zhiro (Pierre Giron), se “çdo pikturë është konkrete”, si dhe duke e mbështetur këtë me faktin se vetë shënjuesi artistik është figuracioni apo ikona e një realiteti pa figurë, atëherë çështja bëhet disi më e komplikuar.

Në ndërkohë që akoma më konfuze pikturën abstrakte e bënë mungesa e plotë e referencave (historike, mitologjike, biblike, psikologjike…) për të mbisunduar përshtypja sikur asgjë nuk paraqitet në një pikturë të këtillë. Por, megjithatë, e vërteta është ndryshe sa i përket abstraksionit, për këtë na bind edhe krijimtaria e artistit, Bilgaip Koçishta – Bige, pasi që piktura e tij, nuk imiton dhe nuk shtiret! Kështu ky artist i shpreh fuqishëm shqetësimet e tij artistike nëpërmjet një botëkuptimi specifik filozofik.

Por, nëse thuhet që, filozofia është arti i padukshëm, atëherë arti duhet të jetë filozofia e dukshme! Këtë postulat e ndjek në artin e vet edhe piktori, Bige, i cili rrugëtimin e tij të gjatë artistik, prej më shumë se dy dekadash, të përqendruar tek objekti, për të kaluar pothuajse dhjetë vite më parë te mënjanimi i plotë i figuracionit nga piktura e tij. Duke e kthyer artin e tij nga një filozofi të dukshme, por, pa figurat të lexueshme, Bige e dematerializon objektin artistik, në të cilin forma tretet tek ideja dhe motivi te tema.

Kështu, artisti në fjalë, arrin që me ndihmën e materiales të depërtojë në thellësitë e shpirtërores dhe të ndërtoj subjekte artistike abstrakte, të cilat shpesh asocojnë në peizazhe imagjinare dhe me fenomene të ndryshme qenësore që e përbëjnë poetikën e tablove kryesisht të formatit të mesëm dhe të madh. Pra, nga imazhet (sur)realiste të dekadës së parë të krijimtarisë së tij, duke i shmang shenja vizuale ikonike, kuptimin e të cilave e bazon te konvencionet, ose te rëndomësia, ka kaluar te koncepti i simbolikës aluzive.

Imazhet e lexueshme të zëvendësuara nga simbolet, linjat dhe rrethet, potezat impulsive, çuan nga një ikonografi më të qetë te një paletë më agresive. Rrënjët, ndërkaq të pikturës abstrakte të Biges, duhet kërkuar deri diku te pikturat e tij të mëhershme me kaligrafi, të cila në një farë mënyre е përbëjnë hallkën lidhëse ndërmjet proveniencave stilistike të krijimtarisë së tij. Duke sjellë një version personal të enformelit, bazuar në linjën e abstraksionit tradicional europian, të përfaqësuar nga Alberto Burri dhe Antoni Tapiesh (Antoni Tàpies), piktori, Koçishta, përpiqet të eksplorojë fenomenin e “barrierave” të pranishme në shoqërinë dhe mjedisin në të cilin ai jeton dhe vepron.

Të përjetuara këto, si një përvojë personale, autori preferon ti quaj ato – MURE. Të gjithë “muret” e tij, të cilët aq sa janë (i)real, (ir)racional, të (pa)nevojshëm, po aq janë të (keq)përdorur, piktori në fjalë i paraqet si sinonim të pengesave, kufizimeve, rezistencave, refuzimeve etj. Për trajtimin e barrierave, të cilat me praninë e tyre e pengojnë komunikimin normal midis njerëzve, autori përdor një gjuhë adekuate abstrakte artistike. Simbolika e “mureve” tërthorazi i mbindërton semiotikat kontekstuale dhe konceptuale në pikturat e këtij projekti ideoartistik.

I vetëdijshëm që arti abstrakt as nuk imiton dhe as nuk shtiret, Bige, eksplorimit të tij tematik i qaset pa paragjykime. Me këtë mënyrë të pikturimit filozofia e tij artistike bëhet më pak e ndërlikuar, kurse semilogjia bëhet më e lehtë për tu artikuluar. Ajo që pikturën abstrakte të Biges, e bënë kaq specifike lidhet me faktin se ajo zotëron një praktikë që i mungon pikturës prezantuese, ajo, pra, është aftësia për ti shmangur përmbajtjet transparente narrative, duke i dhënë kështu hapësirë rrjedhës së papenguar krijuese, e cila shkakton çlirim emocional dhe mendor tek autori.

Dhe tërë këtë opus ai e realizon nëpërmjet përdorimit të një game tejet të pasur koloristike, duke kombinuar ngjyrat komplementare, në të cilat shquhet e kuqja, e gjelbërta dhe grija monokromatike, por edhe një dyzinë ngjyrash tjera polikromatike. Nëse tekstura përbënë shenjë identifikuese të strukturës pikturale, ngjyra e kuqe, herë si sipërfaqe, herë si linjë e herë si njollë nëpër pëlhurat shfaqet si elementi bartës koloristik i imazheve të krijimtarisë së tij. Ndonëse pa figuracion, piktura e tij e arsyeton deri diku edhe ekzistimin e artit konkret! Ndërkaq, me të kuqen intensive, por edhe më nuancat e saj më të zbehta, e cila me tërë simbolikat dhe metaforat e saj shpreh pasionin dhe guximin e autorit. (Mexhait Pollozhani)