Qeveria e RMV-së e anuloi vendimin për zonën turistike, Elmazi: Liqeni i Treskës do t’i kthehet Sarajit
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka anuluar vendimin për themelimin e Zonës Zhvillimore Turistike “Saraj-Liqeni i Treskës”, duke e hapur kështu rrugën për kthimin e pronësisë së liqenit Komunës së Sarajit. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, transmeton Portalb.mk.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Elmazi ka njoftuar se me këtë vendim të Qeverisë hiqen pengesat administrative që për vite me radhë e kanë mbajtur të bllokuar këtë çështje.
“Në seancën e 232-të të Qeverisë, të mbajtur më 24.11.2026, me numër rendor 41, u miratua anulimi i Vendimit të Qeverisë për themelimin e Zonës Zhvillimore Turistike “Saraj-Liqeni i Treskës”. Me anulimin e këtij vendimi, hiqet pengesa që për vite me radhë e kishte mbajtur të bllokuar këtë çështje, duke i hapur rrugë kthimit të tërësishëm të pronësisë së Liqenit të Treskës në Komunën e Sarajit”, ka shkruar Elmazi.
Sipas Elmazit, pas disa vitesh pengesash administrative, tashmë po krijohen kushtet që kjo zonë të zhvillohet dhe të rikthehet në funksion.
“Ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Sarajin, pasi një hapësirë me potencial të madh zhvillimor dhe turistik më në fund i kthehet komunës dhe qytetarëve të saj. Pas vitesh të tëra pritjeje dhe pengesash administrative, po krijohen kushtet që Liqeni i Treskës të marrë një perspektivë të re zhvillimore, në funksion të interesit të qytetarëve”, shkruan Elmazi.
Premtime ndër vite, por pa realizim
Viti 2026, një vit pas shuarjes së Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit dhe kalimit të saj në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Portalb.mk iu drejtua kësaj ministrie për të pyetur se deri ku kanë arritur procedurat për zonën turistike “Saraj-Liqeni i Treskës” dhe kur pritet revitalizimi i kësaj zone. Megjithatë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit i tha Portalb.mk se kompetencat për këtë zonë turistike nuk i janë bartur këtij institucioni.
Nga Ministria sqaruan se Qeveria ka formuar një grup pune për përgatitjen e një ligji të ri për zonat zhvillimore turistike. Megjithatë, nuk dhanë informacione se kur pritet të përfundojë përgatitja e ligjit dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm për zonën e Liqenit të Treskës.
Në vitin 2025 kishim zgjedhjet lokale dhe premtime të reja për ringjalljen e kësaj zone. Në korrik ndodhi riorganizimi qeveritar dhe bartja e kompetencave nga Agjencia për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit te Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Si pasojë, çështja e menaxhimit dhe strategjisë për Liqenin e Treskës i kaloi kësaj ministrie të re.
Gjatë viteve 2021–2023, edhe pse komisioni zhvilloi disa mbledhje, procesi nuk arriti te faza e shpalljes publike. Institucionet filluan të fajësonin njëra-tjetrën, Komuna e Sarajit akuzonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Agjencinë e Turizmit për ngadalësi dhe kërkonte shqyrtim mujor në Qeveri, ndërsa Agjencia theksonte se të gjitha aktivitetet e mëtejshme vareshin nga dinamika e vetë komisionit të kryesuar nga komuna.
Në vitin 2021, Komuna e Sarajit filloi rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve përreth liqenit. Në atë kohë, ish-kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti, prezantoi edhe planin urbanistik për revitalizimin e hapësirës. Plani parashihte qendër rekreative-sportive, pishina, aquapark, hapësira për argëtim, shtëpiza, hotele dhe përmbajtje të tjera.
Gjithashtu, u krijua një komision ndërinstitucional për të përgatitur dokumentacionin për tokën ndërtimore me qëllim shpalljen e thirrjes publike për investitorët ndërkombëtarë.
Në vitin 2013, kompetencat për Liqenin e Treskës shteti ia dorëzoi Komunës së Sarajit. Që atëherë, kryetarët e kësaj komune kanë premtuar disa herë se liqeni do të rikthehej në funksion dhe do ta merrte sërish pamjen e dikurshme, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
Liqeni Treska u ndërtua në 1978 me vetë-kontribut të banorëve të Shkupit. Me një sipërfaqe prej 136,000 metra katrorë dhe kapacitet për 10.000 vizitorëve në vitet 1980 dhe 1990 ai funksionoi kryesisht si vend për piknik për banorët e Shkupit, veçanërisht në muajt e verës. Rreth liqenit, i cili ka thellësi prej 1,6 deri në 3 metra, kishte shtëpi druri, kafene, restorante, pishina, zhveshtore, tualete, fusha sportive, si dhe një kamp për rimorkio. Liqeni Treska ishte në funksion vetëm 20 vjet. Në vitin 1998, për shkak të ndotjes së ujit, ai u mbyll për not dhe që nga ajo kohë ka filluar shkatërrimi i tij. Sot, kompleksi përreth liqenit është shkatërruar plotësisht.
- LEXO: Liqeni i Treskës ende pa zgjidhje, Ministria thotë se s’ka kompetenca, Qeveria nuk tregon kur do të miratohet ligji i ri
- LEXO: Premtime zgjedhore për investime miliona eurosh në “Treskë”, Elmazi dhe Qeveria pa plane konkrete për ringjalljen e saj
- LEXO: Biznesmeni nga Shqipëria dëshiron ta riaktivizojë liqenin “Treska” me investim prej 100 milionë eurosh