Putini zhvilloi bisedën e parë telefonike me Papa Leon XIV

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Papa Leon XIV – kontakti i parë mes tyre që prej zgjedhjes së kreut të ri të Selisë së Shenjtë, raporton Euronews. Sipas mediave të huaja biseda u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe u përqendrua kryesisht te situata në Ukrainë.

Sipas njoftimit zyrtar të Kremlinit, Putin e përgëzoi Papën për zgjedhjen dhe i uroi suksese në detyrën e tij, duke e cilësuar “një mision fisnik”.

Kreu i Kremlinit vlerësoi gjithashtu kontributin e Papa Françeskut në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Vatikanit, duke shprehur shpresën se këto lidhje do të vijojnë të forcohen edhe me Leon XIV.

Gjatë bisedës, të dy liderët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushat kulturore, humanitare, si dhe për mbrojtjen e komuniteteve dhe faltoreve të krishtera në zonat e konfliktit.

Në qendër të diskutimit ishte lufta në Ukrainë ndërsa Putin ritheksoi interesin e tij për arritjen e paqes përmes mjeteve politike dhe diplomatike, duke theksuar rëndësinë e adresimit të “shkaqeve rrënjësore të konfliktit”.

Ai falënderoi Papën për gatishmërinë e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës dhe e informoi për progresin në marrëveshjet për shkëmbimin e të burgosurve.

Megjithatë, Putin akuzoi Kievin për “sabotim të infrastrukturës civile ruse” dhe e quajti sulmin e fundit në Siberi si një akt “të qëllimshëm dhe terrorist”.

Në përfundim të telefonatës, të dy palët ranë dakord të mbajnë kontakt dhe të zhvillojnë bisedime të mëtejshme për çështje me interes të përbashkët.