Putini u ftua në Bordin e Paqes për Gazën të udhëhequr nga Amerika

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka konfirmuar se presidenti rus, Vladimir Putin, është ftuar të bashkohet me “Bordin e Paqes” për Gazën të udhëhequr nga SHBA-të, transmeton Portalb.mk.

“Ai është ftuar”, tha Trump.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se ftesa i është dërguar Putinit përmes kanaleve diplomatike.

“Po, me të vërtetë presidenti Putin ka marrë përmes kanaleve diplomatike ftesë për t’u bashkuar me këtë Këshill të Paqes”, tha Peskov.

Sipas Peskovit, Rusia po i shqyrton detajet e propozimit dhe pret kontakte të mëtejshme me palën amerikane për sqarime shtesë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten krijimin e Bordit të Paqes, i cili synon zbatimin e planit 20-pikësh të Trumpit për përfundimin e luftës në Gaza dhe rindërtimin e enklavës.

Bordi do të ketë rol në mbikëqyrjen strategjike, mobilizimin e burimeve ndërkombëtare dhe sigurimin e llogaridhënies gjatë kalimit të Gazës nga konflikt në paqe dhe zhvillim.

SHBA-ja ka krijuar gjithashtu Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i cili do të zbatojë fazën e dytë të planit të Trumpit.