Putin nuk i dha fund pandemisë së COVID-19, as Izraeli me sulmin ndaj Iranit nuk i ka dhënë fund luftës në Ukrainë
Imunizimi dhe infeksionet e kaluar, e jo Putin dhe pushtimi i tij ushtarak në Ukrainë, kontribuan në përfundimin e pandemisë së COVID-19. Sa i përket pohimit në postim se Netanjahu, me sulmin e Izraelit ndaj Iranit, e ka liruar botën nga Ukraina, kjo gjithashtu nuk qëndron. Së pari, Ukraina nuk është agresor apo kërcënim për sigurinë globale, ndaj bota nuk “lirohet” prej saj. Rusia vazhdon me agresionin e saj ushtarak, dhe për këtë raportojnë mediat ndërkombëtare dhe ato lokale, transmeton Vërtetmatësi.
Po analizojmë një postim në Facebook që thotë:
Më 24 shkurt 2022, Putin për një ditë mrekullisht e çliroi të gjithë botën nga koronavirusi. A mos ndoshta më 13 qershor 2025, Netanjahu po ashtu mrekullisht e çliroi të gjithë botën nga Ukraina?!
Nuk është e saktë pohimi në postim që “Putin për një ditë mrekullisht e çliroi të gjithë botën nga koronavirusi.” Koha e shpalljes së përfundimit të COVID-19 si emergjencë globale shëndetësore dhe data kur Putin sulmoi Ukrainën nuk përputhen. Pushtimi agresiv dhe i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës ndodhi më 24 shkurt 2022. OBSH-ja shpalli përfundimin e emergjencës globale për COVID-19 më 5 maj 2023. Këto dy ngjarje nuk kanë lidhje mes tyre dhe as Putin nuk ka pasur ndikim në përfundimin e pandemisë COVID-19. Për përfundimin e pandemisë kanë kontribuar faktorë të tjerë epidemiologjikë.
Një vit para shpalljes së përfundimit të emergjencës globale për COVID-19, pandemia ishte në trend zbritës për shkak të rritjes së imunitetit të popullsisë falë vaksinimit dhe infeksioneve të kaluara. Gjatë kësaj periudhe, vdekshmëria po binte dhe presioni mbi sistemet shëndetësore po ulej. Komiteti i Emergjencave dhe OBSH-ja analizuan me kujdes të dhënat për të përcaktuar kohën e duhur për të ulur nivelin e alarmit rreth pandemisë.
Dje, Komiteti i Emergjencave u mblodh për herë të 15-të dhe rekomandoi që unë të shpall fundin e emergjencës së shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare. E kam pranuar këtë këshillë. Prandaj, me shpresë të madhe e shpall COVID-19 të përfunduar si një emergjencë globale shëndetësore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që COVID-19 nuk është më një kërcënim global për shëndetin, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më 5 maj 2023.
Gjendja e emergjencës për COVID-19 përfundoi, por gjatë saj u shënjuan variante të koronavirusit si Delta dhe Omicron, të cilat shkaktuan rritje të rasteve dhe të shtrimeve në spital. Gjatë pandemisë, vaksinat kundër COVID-19 shpëtuan miliona jetë. Nga fundi i janarit 2022 deri në maj 2023, rastet ditore të raportuara të COVID-19 u ulën për 92 përqind, ndërsa rastet e vdekshmërisë u ulën për 80 përqind. Po ashtu, shtrimet e reja në spital u reduktuan me 80 përqind në këtë periudhë.
Pikërisht këto faktorë, e jo Putin dhe pushtimi i tij ushtarak në Ukrainë, kontribuan në përfundimin e pandemisë së COVID-19.
Sa i përket pohimit në postim se Netanjahu, me sulmin e Izraelit ndaj Iranit, e ka çliruar botën nga Ukraina, kjo nuk qëndron. Së pari, Ukraina nuk është agresor apo kërcënim për sigurinë botërore, ndaj bota nuk “lirohet” prej saj. Rusia vazhdon me agresionin ushtarak, dhe për këtë raportojnë mediat ndërkombëtare dhe ato lokale.
Nga të gjitha sa u tha më sipër, mund të konkludojmë se as Putin nuk i dha fund pandemisë së COVID-19, as Izraeli me sulmin ndaj Iranit nuk i dha fund pushtimit ushtarak rus në Ukrainë.
Për këto arsye, postimin e vlerësojmë si të pavërtetë.