“Vërtetmatësi” në rrjetet sociale gjeti një videomaterial të publikuar, në të cilin paraqitet incidenti dhe në të shihet qartë se të gjitha shishet që ndodhen mbi tavolinën e këshilltarëve janë plastike.
Po shqyrtojmë postime në rrjetin social Facebook (këtu, këtu) që kanë të bëjnë me incidentin e ndodhur në Këshillin e Komunës së Koçanit më 19 qershor 2025. Incidenti ndodhi kur këshilltari Aki Akiov nga Partia për Prosperitet Demokratik të Romëve (PPDR) dhe këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Vase Aleksov, fillimisht u përfshinë në një debat verbal. Më pas, Akiov tentoi të përballej fizikisht me Aleksovin, por u ndalua nga kryetari i komunës së Koçanit, Venko Krstevski (siç mund të shihet në videon më poshtë në tekst). Pas kësaj, Akiov hodhi një shishe në drejtim të Aleksovit, e cila goditi në kokë një grua, juristen e komunës.
Në të dy postimet që po i recensojmë, thuhet se “shishja ishte prej qelqi”, gjë që nuk është e saktë.
“Vërtetmatësi” në rrjetet sociale gjeti një videomaterial të publikuar ku shihet qartë se të gjitha shishet që ndodheshin mbi tavolinën e këshilltarëve ishin plastike. Incidenti që ndodhi në Komunën e Koçanit përfundoi me kërkimin e ndihmës mjekësore nga juristja e komunës, e cila, sipas deklaratës së drejtoreshës së spitalit të Koçanit, është liruar për mjekim në shtëpi.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe do të parashtrojë kallëzime adekuate pasi të përfundojë hetimi.
Sipas raportit, A.A. ka tentuar të sulmojë fizikisht V.A. dhe ka përdorur një send të fortë, por është penguar nga të tjerët që ishin prezent. Gjatë incidentit, A.A. hodhi edhe një shishe me ujë, e cila goditi në fytyrë një punonjëse të administratës komunale. E lënduara është dërguar në një institucion shëndetësor për ndihmë mjekësore, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Partia për Prosperitet Demokratik të Romëve në reagimin e tyre theksuan se gjatë incidentit u hodh një shishe plastike, dhe jo, siç transmetuan disa media, një shishe qelqi. Ata kërkuan nga mediat të informojnë saktë dhe përgjegjësisht, pa sensacion.
Është e vërtetë që policia po punon për zbardhjen e rastit. Pas incidentit, LDSM dhe VMRO-DPMNE shkëmbyen kërkesa për përgjegjësi dhe akuza për manipulime.
Akiov u kërkoi falje publike juristes së Komunës së Koçanit për dëmtimin që i shkaktoi. Nga LDSM dënuan veprimet e Akiovit dhe theksuan se ai nuk është anëtar i tyre, por partner koalicioni.
Për shkak të të gjitha këtyre fakteve, postimi që recensojmë e vlerësojmë si pjesërisht i pavërtetë, sepse shishja me të cilën u godit juristja në Komunë nuk është prej qelqi, por plastike; këshilltari nuk është i LDSM-së (siç pretendon një nga postimet), por nga partneri koalicionit të LDSM-së – Partia për Prosperitet Demokratik të Romëve (PPDR). Është e vërtetë që ndodhi një incident ku një këshilltar tregoi sjellje të papranueshme, nga e cila juristja e Komunës u lëndua.