Pse gazetarët në RMV nuk bëjnë gazetari cilësore!?

Shkruan: Teuta Buçi

Kjo nuk është një dilemë hamletiane. Është një pyetje shumë legjitime që vjen nga qytetarët e me të cilën përballen gazetarët pothuajse çdo ditë. Me plotë të drejtë, qytetarët pyesin se pse gazetarët nuk e bëjnë punën e tyre siç duhet. Sepse, është e vërtetë, gazetaria nuk duhet të jetë telegrafike. Gazetaria është zëri i së vërtetës, zëri i njerëzve të pashpresë, shpresë për të padukshmit e drejtësi për të shtypur. Dhe një person nuk mund të quhet gazetar në qoftë se, nuk i qëndron besnik të vërtetesës, fillimisht si ideal, e më pas edhe si shtyllë e drejtësisë.

Prandaj, kur qytetarët pyesin se pse gazetarët nuk e bëjnë punën e tyre si duhet, kjo duhet të interpretohet si lajm i mirë. Pasi që ata, ende besojnë se gazetarët janë apo duhet të jenë gardianët e demokracisë. Gazetarët duhet të mbrojnë me gjithë forcë demokracinë, e duhet të jenë zëri i qytetarëve kur demokracia është në humnerë.

Por, duket se qytetarët janë të vetmit që ende i shohin me dinjitet gazetarët, qoftë me dozë shumë të vogël.

Megjithatë, sot unë dua t’iu bëj pyetje qytetarëve, meqë kjo edhe është puna e gazetarit – të parashtrojë pyetje. Sa prej qytetarëve e dinë se në çfarë kushte punojnë gazetarët në media, sa prej tyre e din se me çfarë pagash paguhen ato, sa prej tyre e din se sa persona përbën një redaksi mediatike e sa prej tyre e dinë se pronarët nuk shqetësohen fare për këtë.

Kjo më shumë se qytetarët, i mundon vet gazetarët. Sepse asnjëri gazetar nuk dëshiron të lexojë kumtesa partiake, të jetë mekanik, të ndjehet administratorë e të mos ketë motiv për punë. E aq më pak, asnjë gazetar nuk dëshiron të shërojë frustracionet e “personave të emëruar” brenda mediave. Por, fatkeqësisht sot, askush nuk flet për sfidat e gazetarisë aktuale.

Sot mediat kanë zhveshur nga dinjiteti punëtorin mediatik. Kjo ndodh pasi shumica e mediave, udhëhiqen nga njerëz që i shërbejnë interesave të grupeve të ngushta, e jo qytetarëve. Shumica prej tyre nuk e kuptojnë se cila është puna e mediave. E kanë të vështirë ta perceptojnë se media, nuk është një dritare personale, ku ti mund të vendosish rregulla sipas dëshirës, apo ta shndërrosh atë në mjet propagandistik për grupe të interesit. Nuk arrijnë të kuptojnë se, gazetari nuk është punëtor fabrike, nuk mund ta trajtosh atë si skllav apo ta përdorish për interesa personale. Por, kam frikë se nuk e kuptojnë as se cila është puna e tyre. Dhe këtu komplikohen gjërat. Prandaj, çdo revoltë, çdo kritikë a kërkesë e punonjësve mediatik përmbyllet me frazën legjendare “dera është e hapur për të gjithë”. Dhe e thonë atë me një vetëbesim të hatashëm, sikur kanë zbuluar ujin e ngrohtë. Prandaj sot dyert e mediave rrinë të hapura vetëm për punëtorët që ikin nga ai trajtim mesjetar, por jo edhe për të futur brenda gjeneratë të re të profesionistëve.

Rrjedhimisht, pyetja e duhur do të duhej të ishte – pse mediat nuk janë funksionale!? Pse media nuk e bën punën si duhet, nuk prodhon cilësi, nuk prodhon opinion publik e nuk ka ndikimin e duhur. Pse media nuk është opozitë e pushtetit dhe në anën e qytetarit. Pse media sot është shndërruar vetëm në mjet për pasurimin e pronarëve dhe varfërimin e profesionit të gazetarisë, e me këtë edhe të demokracisë!?

Pyetja e duhur do të duhet të ishte si të ç’kapim mediat e t’i kthejmë nga vdekja klinike!?