Protestë: Siguri për vajzat dhe gratë, pas dyshimeve për dhunimin e një të miture në Kosovë

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar të enjten në Prishtinë, duke kërkuar siguri dhe drejtësi për vajzat dhe gratë, pas dyshimeve se një vajzë e mitur u dhunua ditë më parë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Protestuesit marshuan në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “Siguri për gratë”, “Poshtë patriarkati”, “Gra, revoltohuni” dhe “Drejtësi për gratë”.

Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Gjykata Themelore në Pejë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se dy persona janë ndaluar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit njëmujor, si të dyshuar për dhunimin e një 13-vjeçarjeje në Drenas.

Policia e Kosovës tha në një raport ditor më 11 mars se ishte duke e hetuar një rast të cilin e cilësoi si “zhdukje e një viktime femër kosovare”.

“Raportohet se viktima femër kosovare, kishte dalë nga shtëpia dhe se nuk dihet për lokacionin e saj. Me datë 11.03.2024 rreth orës 00:50 njësitet e hetuesi ka lokalizuar viktimën e cila ishte e shoqëruar nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raport.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) u bëri thirrje autoriteteve në një postim në Facebook t’i sjellin para drejtësisë të dyshuarit.

“RrGK kërkon nga institucionet, posaçërisht nga Prokuroria e Pejës që të bëhet një hetim serioz i veprës dhe të përpilohet aktakuza në mënyrë që dhunuesit të marrin dënimin e merituar”, tha ky rrjet.

Ky rrjet shtoi se “përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngremë zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis”.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale.

Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.