Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të transferohet në objekt të ri

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit deri në fund të muajit do të transferohet në objekt të ri të rinovuar dhe të përshtatshëm për nevojat e prokurorisë, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një pjesë të ndërtesës së mëparshme të Arkivit Shtetëror, e cila i është dhënë për përdorim të përhershëm Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me vendime të Qeverisë në vitin 2012 dhe 2021.

“Punimet ndërtimore për rekonstruim dhe adaptim të objektit filluan në vitin 2016, por kah fundi i vitit 2022 më në fund u zbatuan të gjitha aktivitetet për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për zbatimin e furnizimit publik për aktivitete ndërtimore të domosdoshme për transferim të pandërprerë të prokurorisë në hapësirat e reja. Objekti është i pajisur përmes instrumentit për ndihmë paraqasëse dhe BE-së (IPA), ndërsa një pjesë e pajises dhe orendive janë marrë edhe nga ish Prokuroria Speciale Publike”, kumtuan nga prokuroria.

Në hapësirat e reja të kësaj prokurorie, do të vendoset edhe një laborator bashkëkohor i forenzikës me mbështetje të Ambasadës së ShBA-së. Në objektin përdhesë dhe dy kate, përpos hapësirave të punës për prokurorë publik dhe shërbimet profesionale, ka dhe një pejsë të posaçme ku do të vendoset Qendra Hetuese e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një sallë për dëgjimin e fëmijëve viktima dhe dëshmitarëve të mbrojtur, si dhe një sallë për konferenca.