Prokuroria në Shqipëri kërkoi dënimin me 2 vjet e gjysmë burg për Belerin

Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme kërkoi sot dënimin me 2 vjet e 6 muaj burgim për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i akuzuar për Korrupsion aktiv në zgjedhje, raporton VOA.

Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar. Sipas Prokurorisë, ai i ka ofruar një banori të Himarës, Arsen Ramës, shuma monetare për çdo person që do votonte në favor të tij, ndërsa vetë Ramës i kishte premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro. Rama, i cili është ofruar që të rregjistrojë bisedat dhe veprimet me Belerin, për llogari të Prokurorisë, i ka dorëuar një listë me 8 emra. Për secilin prej tyre ai ka marrë 5 mijë lekë nga bashkëpunëtori i ngushtë i Belerit Pandeli Kokaveshi. Për këtë të fundit prokuroria kërkoi 2 vjet burgim të konvertuar me 4 vjet shërbim prove.

Avokati i zotit Beleri tha në përfundim të seancës së sotme, se i gjithë procesi sipas tij ishte “një fabul e ndërtuar shumë keq”, se akuza ndaj klientit të tij ishte e montuar dhe se gjykata ishte në diktatin e prokurorisë, pasi kishte rrëzuar të gjitha kërkesat e mbrojtjes. Sipas tij, në proces nuk ishte paraqitur asnjë provë e vetme, “as video as foto ku të shfaqej zoti Beleri, por vetëm dëshmia e vëllezërve Rama, dy persona të dënuar më parë”. Vetë zoti Beleri ka folur në seancë për një proces me sfond politik.

Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore, e përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar gjë të tillë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.

Greqia që në fillim e lidhi rastin Beleri me përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në fund të vitit ajo u bë pengesë për vendimin për nisjen e bisedimeve konkrete për grupkapitujt e parë mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian.