Shtetësia bullgare: Kur ministrja Sanja Bozhinovska flet të vërtetën ?

Nuk ka kaluar as java e parë nga zgjedhja e qeverisë së re dhe tashmë mbi të është ngritur një pyetje serioze etike. A është politikisht e pranueshme, megjithëse nuk është e ndaluar ligjërisht, që një ministër të fshehë shtetësinë e një vendi tjetër apo të një vendi të tretë, duke përfshirë një fqinj me të cilin si shteti, ashtu edhe partia nuk janë në marrëdhënie të mira. Dhe jo vetëm kaq, por edhe cilat janë pasojat nëse ministri që fillimisht u fsheh, më pas modifikon pikëpamjet sipas fakteve që nuk mund të përgënjeshtrohen, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Kisha – S’kam

Sanja Bozinovska është shefe e Ministrisë së sapoformuar të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale. Ajo ka lindur në vitin 1980 në Shkup dhe, siç shkruhet në biografinë e dorëzuar në Kuvend, një pjesë të madhe të shkollimit dhe përvojës së saj të punës e ka fituar dhe ka kaluar në vende të tjera.

Ajo ka deklaruar kombësinë e saj si “maqedonase”. “360 Gradë” para dy ditësh bëri të ditur se Bozhinovska nuk ka deklaruar se ka nënshtetësi të një shteti tjetër, ose më saktë pasaportë bullgare, të cilën e ka përdorur në Kroaci.

Pyetjeve të 360 Gradë nëse ka aktualisht dhe a ka pasur ndonjëherë nënshtetësi bullgare, ajo u përgjigj:

“Sa i përket pyetjeve tuaja konkrete, në biografinë time zyrtare thuhet qartë se jam shtetase e Maqedonisë dhe se posedoj edhe shtetësi çeke. Lidhur me pretendimet për shtetësi bullgare, dua të theksoj se nuk kam shtetësi bullgare dhe të gjitha informacionet përkatëse janë të shprehura në mënyrë transparente në biografinë time”.

Nëse e shikoni materialin e dorëzuar në Kuvend nga mandatari Hristijan Mickoski, me përbërjen e propozuar të qeverisë së re, shihet se Sanja Bozhinovska askund nuk ka deklaruar se ka nënshtetësi çeke, siç pretendoi. Dhe nëse përgjigja lexohet me kujdes, është gjithashtu e qartë se Bozhinovska nuk i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes – a ka pasur ndonjëherë shtetësi bullgare. Thjesht thotë se nuk ka për momentin, gjë që sipas kontrolleve të “360 gradë”, nuk është aspak e vërtetë. Gjegjësisht, ajo kërkoi tërheqje nga shtetësia bullgare në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, që i paraprin zgjedhjes së saj si anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së në fillim të këtij viti.

Lajmin e kanë përcjellë dje edhe TV Kanal 5. Në përgjigjen e saj për televizionin, ajo pranon se kishte pasaportë bullgare dhe se kishte nënshtetësi bullgare, nga e cila kërkoi tërheqje, procedurë e cila sipas saj ka përfunduar. Mirëpo, shtohet nga Kanalit 5, ajo nuk është përgjigjur nëse ka marrë vendim për lirim nga shtetësisë, pa të cilën ajo është ende formalisht shtetase bullgare.

Më poshtë është edicioni i 18:00 i lajmeve të Kanal 5, në të cilin mund të dëgjoni dhe shihni kronikën, versioni i shkruar i të cilës është tërhequr nga ueb-faqja e internetit e mediumit.

Maqedonase me “vetëdijen kombëtare bullgare”

Ajo që Bozhinovska deklaroi për TV Kanal 5 është se ajo nuk sheh asgjë të diskutueshme në atë se ajo kishte pasaportë bullgare nga pikëpamja etike, sepse ajo gjithmonë është ndjerë si maqedonase.

“Nuk mendoj se nga pikëpamja etike mund të kontestohet fakti që dikur kam pasur dokument udhëtimi/shtetësi bullgare, sepse atëherë dhe tani ndihem vetëm maqedonas. Kontestimin identitar të Maqedonisë nga Bullgaria e konsideroj si një politikë të gabuar dhe kundërproduktive, e cila fatkeqësisht dëmton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shpresoj që në periudhën e ardhshme të krijohen kushte për t’i tejkaluar këto çështje njëherë dhe përgjithmonë dhe Maqedonia dhe Bullgaria duhet të fokusohen në bashkëpunim real, i cili padyshim përfshin energjetikën”, tha ministrja Bozhinovska për Kanalin 5.

Përkatësia etnike është çështje dhe përcaktim personal dhe, natyrisht, nuk mund të kontestohet. Por çështjes i duhet shtuar edhe një fakt. Sanja Bozinovska mund të jetë ndjerë gjithmonë si maqedonase, por kur aplikoi dhe mori nënshtetësinë bullgare, nënshkroi një deklaratë se kishte identitet kombëtar bullgar.

Dhe jo vetëm kaq. Aplikanti për shtetësi bullgare deklaron gjithashtu se është me origjinë bullgare, duke treguar paraardhësit e tij bullgarë.

Standardi etik

Bozhinovska nuk është e vetmja anëtare e qeverisë së Hristijan Mickoski me një atdhe të dytë. Kështu është edhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për politika të mirëqeverisjes, Arben Fetai. Megjithatë, ai, ndryshe nga Bozhinovska, në biografinë e tij ka deklaruar edhe shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, edhe atë të Belgjikës.

Pyetjeve tona nëse të gjithë ministrat duhet të listojnë në mënyrë transparente shtetësitë e tjera, ai u përgjigj:

“Së pari, shtetësia e dyfishtë nuk është e ndaluar me ligj as në Maqedoninë e Veriut, ku jam zgjedhur anëtar i kabinetit qeveritar, as në shtetin ku kam jetuar 35 vjet, në Belgjikë. Madje lejohet në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, ku ne synojmë të anëtarësohemi. Deklarimi i shtetësisë së dytë është një çështje transparence dhe është e nevojshme të paktën përsa i përket nivelit etik. Kur bëhet fjalë për zyrtarët e lartë shtetërorë, duhet të jetë normë, pra një praktikë e mirë që instalohet në qeverisje, sepse nuk ka asgjë të diskutueshme, sidomos kur bëhet fjalë për vendet mike. Vende si Belgjika, vende të tjera të BE-së dhe NATO-s, nuk shoh asgjë që justifikon fshehjen e një informacioni të tillë. Në rastin tim, përkundrazi, besoj se ky është një standard etik dhe një standard transparence që duhet të zbatohet për të gjithë”.