Ademi: Vëllezërit tanë shqiptarë janë ndaluar në pikën kufitare, nëse nuk ka reagim do të marshojmë drejt MPB-së
Njëri nga organizatorët e protestës studentore të mbajtur sot, Mevlan Ademi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku sipas tij, disa shqiptarë janë ndaluar në një pikë kufitare. Në postimin e tij, Ademi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre dhe lejimin e hyrjes pa vonesa, duke paralajmëruar se nëse nuk ka reagim të shpejtë nga institucionet, organizatorët do të marshojnë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
“Lëshoni menjëherë vëllezërit tanë shqiptarë të ndaluar në pikën kufitare! Kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe lejim të hyrjes së tyre pa vonesë. Nëse nuk ka ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje urgjente, ne do të jemi të detyruar të marshojmë drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme!”, ka shkruar Ademi në Facebook.
Në reagimin e publikuar nga Mevlan Ademi nuk specifikohet se në cilën pikë kufitare dyshohet se janë ndaluar personat në fjalë.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar nga autoritetet lidhur me pretendimet e publikuara nga Ademi apo arsyet e ndalimit të mundshëm, megjithëse sipas rrethanave të krijuara, nënkuptohet se ndalimi mund të lidhet me protestën e sotme studentore.
Ndryshe, për sot në orën 16:30, studentët shqiptarë njoftuan se do të protestojnë para Urës së Gurit dhe do të kërkojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ndërkohë po sot, u takuan kryeministri, Hristijan Mickoski, dhe bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, për gjoja gjetjen e një zgjidhjeje për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.
Protesta vjen pas asaj të 6 prillit 2026 protestuan ku me mijëra qytetarë dhe studentë dolën në Shkup duke kërkuar që të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mund ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata kërkuan drejtësi për studentët dhe dorëheqje të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili ua mohon të drejtën e garantuar me ligj. Përmes një reagimi pas protestës, Ministria e Drejtësisë vazhdoi të insistojë se provimi nuk mund të jepet në gjuhën shqipe.