PE filloi procedurën për miratimin e rezolutës për Serbinë: Do të diskutohet dhuna ndaj protestuesve
Parlamenti Evropian ka filluar procedurën për miratimin e një rezolute mbi Serbinë me titull “Valët e dhunës dhe përdorimi i vazhdueshëm i forcës kundër protestuesve në Serbi”, me iniciativën e disa grupeve politike në atë institucion, raporton e përditshmja serbe N1.
Tema e rezolutës do të diskutohet në sesionin e parë të vjeshtës të Parlamentit Evropian, të planifikuar për 8 shtator, sipas faqes zyrtare të internetit të PE-së për procedurat legjislative.
Rezoluta klasifikohet si RTA (Rezolutë për tema aktuake), që do të thotë se ka të bëjë me çështje urgjente politike, demokratike ose të sigurisë që kërkojnë reagim nga Parlamenti.
Në këtë rast, tema janë ngjarjet gjatë dhe pas protestave disamujore në Serbi, në veçanti raportet për përdorim të tepruar të forcës kundër protestuesve, përfshirë studentë dhe të mitur.
Pritet që Parlamenti Evropian të miratojë vlerësim politik të situatës, me thirrje të mundshme për veprim ose rekomandime për institucionet evropiane dhe shtetet anëtare. Teksti i draftit nuk është publikuar ende.
Protestat disa mujore në Serbi, të cilat kanë provokuar vazhdimisht reagime nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, kanë rezultuar në akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës nga shërbimet e sigurisë.
Që nga fillimi i protestave, Parlamenti Evropian e ka shqyrtuar situatën në Serbi tri herë.
Në dhjetor 2024, u mbajt debat plenar mbi krizën politike në Serbi, duke u përqendruar në protestat studentore dhe reagimin e autoriteteve ndaj tragjedisë në Novi Sad, por pa miratuar një rezolutë të veçantë.
Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë mbi parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit, e cila kritikoi ashpër keqpërdorimin e listave të votuesve, votuesit fantazmë, presionin mbi opozitën dhe kushtet e padrejta të medias. Rezoluta bëri thirrje për hetim të pavarur ndërkombëtar dhe sanksione të mundshme nga BE nëse shkeljet e standardeve vazhdojnë.
Në maj, PE miratoi një rezolutë në përgjigje të raporteve vjetore të Komisionit Evropian për Serbinë, të cilat vunë në dukje përparim të kufizuar në procesin e integrimit evropian. Theks i veçantë u vu në problemet me sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve.