Vjosa Osmani me ITShKSh-në mbollën bredhin e Nënë Terezës në oborrin e Presidencës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Nënë Terezës”, bashkë me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Skënder Asani dhe biografin e Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, sot në oborrin e Presidencës së Kosovës, në kujtim të Shën Terezës,  mbollën bredhin me farat e bredhit të shkatërruar të Nënë Terezës, transmeton Portalb.mk.

“Ky bredh, i mbjellë sot, simbolizon dëshminë e veprës së Nënë Terezës në shërbim të njerëzimit, vullnetin e saj për t’i shërbyer atij. Nënë Tereza gjeti gjithmonë forcë që dhimbjen e saj, të popullit të saj dhe të të gjithë të vuajturve ta kthejë në dashuri për njerëzimin, në vepër të përvuajtur në shërbim të të varfërve, madje, sikur thoshte vetë, në shërbim të më të varfërve ndër të varfrit”, tha presidentja Osmani.

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Skënder Asani, tha se bredhi dedikuar Nënë Terezës simbolizon lidhjen mes njerëzve, popujve e vendeve. Shembulli i saj në shërbim të njerëzimit është modeli më i vyer, të cilin ne mund ta njohim.

Përndryshe, në Shkup Shtëpia Muze e Nënë Terezës organizon Javën e Nënë Terezës që përfshin datën e lindjes 26 gushtin dhe datën e vdekjes 5 shtatorin. Kjo javë është simbolike kudo ku ka shqiptarë në vend, rajon dhe botë. Java e Shën Nënë Terezës shënon 113 vjetorin e lindjes dhe 26 vjetorin e vdekjes  së simbolit të humanizmit në botë.