Premtimet e (pa)realizuara të Erkan Arifit në Komunën e Likovës

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, gjatë mandatit të tij të dytë, nuk i ka realizuar të gjitha premtimet e tij të programit zgjedhor ‘Zgjidhë jetë, voto blertë’ 2021-2025′ me të cilin fitoi zgjedhjet e kaluara lokale. Arifi do të garojë edhe për një mandatë të tretë në zgjedhjet 19 tetorit. Portalb.mk sjell një pasqyrë të premtimeve konkrete nga programi se çfarë realizoi dhe çfarë jo Arifi. 

Premtimet e parealizuara: 

  • Përfundimi i ndërtimit të fabrikës për grumbullimin, transportin dhe reciklimin e mbeturinave komunale.

  • Asfaltimi i rrugës lokale Ropalcë — Novo Sellë.

  • Rregullimi i rreth rrotullimit tek v.q. “Bunari i Bejës” , f.Sllupçan.

  • Izolimi, lyerja nga jashtë me fasadë të objektit të shkollës qendrore, rregullimi i oborrit dhe parterit të SHFK “Rilindja” – Llojan.

  • Rregullimi i oborrit dhe parterit në SHFK “5 Tetori” f. Nikushtak.

  • Rregullimi – ndërtimi i katit shtesë (katit të II-të) në SHFK “7 Marsi” Opajë.

  • Ndërtimi i një Biblioteke në f. Orizare.

  • Rregullimi i murit te shkolla fillore periferike “Rilindja” f. Vaksincë.

  • Ndërtimi i objektit të kopshtit për fëmijë për vendbanimet Llojan dhe Vaksincë 

  • Pastrimi i të gjitha deponive të egra në nivel komunal dhe në ato vende ku ka mundësi të bëhen gjelbërim i atyre lokacioneve

Premtimet gjysmë të realizuara 

Përfundimi i ndërtimit të rrjeteve të mbetura sekundare të ujësjellësit – sigurim me ujë të pijshëm për vendbanimet fushore –  Projekti i ndërtimi të ujësjellësit vazhdon të zvarritet prej dekadash përderisa banorët e Komunës së Likovës vazhdojnë të mbeten pa ujë të pijshëm. Deri tani është përfunduar vetëm faza e dytë, që përfshin fshatrat Sllupçan, Vaksincë, Llojan, Orizare, Likovë, Mateç, Vishticë dhe Nikushtak. Ndërsa, në fshatin Hotël kanë nisur vetëm matjet gjeodezike, ndërsa në Opajë dhe Ropalcë ende nuk është bërë asnjë hap konkret drejt realizimit të projektit.

Përfunidmi i bekatonizimit të rrugicave të mbetura në vendbanimet e Komunës së Likovës – Para disa javësh, në fund të mandatit pak para zgjedhjeve siç është praktikë në Maqedoni, Komuna e Likovës nisi rikonstruksionin e rrugëve.
Në disa lagje u realizua shtrimi me pllaka betoni, dhe në disa të tjera punimet ende vazhdojnë.
10 korrik 2025, filluan punimet e rrugës Sllupçan – Orizare. Ndërsa me 29 korrik 2025, filloi shtruarja me pllaka të betonit te rruga e familjes Jashari në fshatin Ropalcë . Po ashtu, me 29 korrik 2025, përfundoi shtruarja me pllaka të betonit te rrugica e familjes Ameti në fshatin Vishticë. Me 30 korrik 2025 filloi shtruarja me pllaka të betonit te rrugica e familjes Rexhepi në fshatin Hotël. Ndërsa me, 3 gusht 2025, Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, së bashku me banorë të lagjeve përuruan përfundimin e katër rrugicave të reja të shtruara me pllaka betoni në fshatin Vishticë. Gjithashtu, me 9 gusht 2025, vazhdojë punimet për rregullimin e trotuarit, duke filluar nga qendra e fshatit Orizare (ana e djathtë e rrugës) deri te shkolla fillore “Faik Konica” në Sllupçan. Dhe me 24 gusht 2025, përfundoi shtruarja me pllaka betoni te rrugica e familjes Osmani në Llojan. 

Ndërtimi i sallës sportive në SHFK “Rilindja” Llojan –   Është realizuar vetëm 30% e projektit për ndërtimin e sallës sportive në Shkollën Fillore Komunale “Rilindja” në Llojan.

Përfundimi i ndërtimit të shtratit të lumit në f.Sllupçan – Ndërtimi i një pjese të madhe të shtratit të lumit në fshatin Sllupçan u realizua në vitin 2018, ndërsa punimet në pjesën e mbetur kanë filluar më 1 tetor 2025.

Premtimet e realizuara 

  • Përfundimi i asfaltimit të rrugës lokale Nikushtak-Vishticë.
  • Përfundimi i asfaltimit të rrugës regjionale aksi Ropalcë — Mateç.
  • Përfundimi i ndërtimit të shtëpisë së Kulturës në f.Mateç.
  • Përfundimi i ndërtimit të Çerdhes në f.Mateç.
  • Ndrrimi i të gjitha dritareve dhe derës së hyrjes tek SHFK “Rilindja” Llojan.
  • Rregullimi i këndëve të lojrave në fshatrat: Llojan, Vaksincë, Sllupçan, Orizare, Allashec, Likovë, Mateç. Ropalcë, Vishticë, dhe Nikushtak (projekt i realizuar në bashkëpunim me shoqatën joqeveritare “Vllaznija” Kumanovë.
  • Ndërtimi i Sheshit të Dëshmorëve në f.Mateç.
  • Ndërtimi i kullës përkujtimore tek Sheshi i Dëshmorëve në f. Sllupçan.

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Likovës garojnë dy kandidatë, kryetari aktual i komunës, Erkan Arifi nga AKI dhe Nexhmedin Sadiku nga VLEN. Në Komunën e Likovës në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 26,362 qytetarë. 

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.

Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.