Prej vitit 2017-të kundërligjshëm ka punuar “Lotaria e Maqedonisë”, alarmoi kryeministri Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka paralajmërua mbylljen e dy kompanive që kanë organizuar lojëra të fatit, duke sqaruar që “Lotaria e Maqedonisë” ka funksionuar kundërligjshme prej vitit 2017-të, transmeton Portalb.mk.

“Në seancën e Qeverisë u pranua interpretimi praktik i Ligjit, në të cilin u konstatua se që nga viti 2017, “Lotaria e Maqedonisë”, pavarësisht se nuk ka licencë, ka lëshuar licenca për organizimin e lojërave të fatit“, tha kryeministri Mickoski, duke shtuar që dokumentet tashmë janë dërguar në organet hetimore.

Ai sqaroi që Qeveria i hoqi licencat e dy kompanive, njërës nga Strumica e tjetrës nga Shkupi, duke theksuar se bëhet fjalë për kompani të lidhura ngushtë me pushtetin e kaluar, pasi kanë punuar në mënyrë ilegale dhe nuk kanë paguar taksat.

“Ka zyrtarë të lartë të pushtetit të mëparshëm të cilët edhe pse e kanë ditur se kjo është kundër ligjit, kanë lejuar organizimin e këtij lloji të lojërave të fatit dhe me këtë kanë dëmtuar qytetarët dhe buxhetin”, deklaroi Mickoski.

Ndryshe, më 24 korrik Qeveria e RMV-së njoftoi që Ministria për Financa ka arritur të marrë licencën e “Arena Gaming” – Strumicë në lidhje me organizimin e lojërave të fatit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 1 korrik kishte paralajmëruar ndëshkim të personave përgjegjës në të kaluarën për shkeljet ligjore në lidhje me lojërat e fatit.