Prania e “Wagner” në Bjellorusi mund të jetë një rrezik për vendet Baltike

Disa nga vendet e NATO-s janë të shqetësuar se mercenarët e “Wagner” mund të shkaktojnë problem në Bjellorusi, sepse grupi i tyre mund të përpiqet të organizojë një sulm që do të ndante territorin e vendeve baltike nga pjesa tjetër e anëtarëve të NATOS-s, raporton Euronews, transmeton Portalb.mk.

Kjo është paralajmëruar edhe nga ekspertët e Euronews, nga ku edhe profesori i politikës ruse Stephen Hall nga Universiteti i Bath-it, paralajmëron se “Wagner” mund të organizojë një ndërhyrje në shkallë më të vogël, si një operacion provokues nën flamur të rrejshëm për të mbuluar përfshirjen e drejtpërdrejtë ruse.

“Qëllimi primar i Rusisë gjithmonë ka qenë të tregojë se NATO është vetëm një tigër në letër”, tha Hall për Euronews, duke shtuar se duke e prerë Balltikun, Rusia mund të potencojë se aleanca e NATO-S nuk do t’i ndihmojë anëtarët e saj.

Paralajmërimet e këtilla vijnë pasi që kryeministri polak Mateusz Morawiecki pretendoi të shtunën se disa mercenarë të “Wagner” kishin filluar të lëviznin drejt Korridorit Suwalki, një zonë toke me popullsi të rrallë e cila shtrihet midis anëtarëve të NATO-s, në veri dhe jug  në Lituani dhe Poloni dhe në lindje dhe perëndim në Bjellorusi dhe në enklavën ruse të Kaliningradit.

Nëse do të arrinin të pushtonin Korridorin Suwalki, atëherë Bjellorusia dhe Rusia mund të ndërpresin lidhjen tokësore të vendeve baltike me pjesën tjetër të anëtarëve të NATO-s.

“Wagner-ët” janë relativisht të pajisur mirë, ata janë të trajnuar dhe kanë kapacitet jo vetëm në aspektin e armëve, por edhe në aspektin e propagandës”, tha Hall për Euronews.

Megjithatë, një sulm i tillë ndaj “Wagner-it” do ta detyronte NATO-n të ndërhynte, pra të aktivizonte nenin 5 të Marrëveshjes së NATO-s, sipas të cilit nëse një shtet anëtar sulmohet, atëherë një sulm i tillë do të konsiderohej si sulm ndaj të gjithë Aleancë. Profesor Hall beson se shqetësimi i Polonisë dhe vendeve baltike ka për qëllim marrjen e ndihmës shtesë nga BE dhe NATO për të mbrojtur kufijtë e tyre.

Ndërkohë nga Rusia vijnë informacione se i njëjti rrokaqiell në Moskë që ishte shënjestër e një sulmi me dron pak ditë më parë është dëmtuar sërish nga një sulm me dron mbrëmë, raporton BBC. Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin tha se disa drone u rrëzuan gjatë natës mbi kryeqytetin rus, por njëri goditi një ndërtesë. Nuk pati raportime për viktima, por rrokaqielli i xhamit u dëmtua sërish nga sulmi.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë për sulmin me dronë akuzoi autoritetet e Kievit, por autoritetet ukrainase deri tani nuk kanë marrë përgjegjësi për sulmin dhe në të kaluarën zakonisht nuk kanë dhënë komente zyrtare për sulme të tilla.

Autoritetet ruse thanë se dy dronë ukrainas  u rrëzuan nga sistemet kundërajrore në rajonin e Moskës, ndërsa aeroporti “Vnukovo” i Moskës u mbyll për pak kohë.

Ndërkohë, autoritet ukrainase njoftuan se Rusia natën e kaluar ka sulmuar qytetin Harkiv me pesë drone “Shahed” të prodhimit iranian. Sulmet rezultuan me dëmtime të një kompleksi sportiv, ku një person mbeti i plagosur. Në një tjetër lagje në Harkiv, një shkollë u shkatërrua nga  dronët rus.

Rritet numri i civilëve të vdekur dhe të plagosur nga sulmi vdekjeprurës me raketa ruse në qytetin e Krivi Rih që ndodhi gjatë muajit korrik. Numri i të plagosurve u rrit në 81, ndërsa të paktën 10 civilë u vranë pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi. Një fëmijë 10-vjeçar është në mesin e civilëve të vdekur në sulmin e një objekti joushtarak në Krivi Rih, shkruan Guardian.