Moska sërish e sulmuar nga dronë, një ndërtesë është goditur dy herë brenda dy ditëve

Këtë mëngjes, Moska u sulmua sërish nga dronet, gjatë së cilit një rrokaqiell ishte  goditur për herë të dytë në dy ditët e fundit, deklaroi kryetari i komunës Sergej Sobjanin, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.

“Disa drone janë rrëzuar mbrëmë, mirëpo njëri goditi të njëjtën ndërtesë nga komplekset e biznesit ”Moskva” e cila ishte goditur njëherë edhe këtë javë. Fasada e xhamit është e dëmtuar, por nuk ka të lënduar”, tha Sobjanin.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e akuzoi Ukrainën për këtë sulm.

“Mbrojtja kundërajrore rrëzoi edhe dy drone të tjerë në rajonin e Moskës, duke parandaluar kështu një sulm terrorist ukrainas”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Aeroporti ndërkombëtar “Vnukovo” u mbyll përkohësisht për shkak të sulmit.

Edhe pse Kiev deri më tash nuk ka ndërmarrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sulmet përbrenda Rusisë, presidenti i Ukrainës Zelensky, ditën e djeshme deklaroi se sulmet në territorin rus janë një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe i drejtë në luftë.

Në të njëjtën kohë, Rusia tha se parandaloi një sulm ndaj dy anijeve saja nga flota e Detit të Zi, e cila është ndodhur 340 kilometra nga Sevastpol-i.

Rikujtojmë se mëngjesin e 30 korrikut, tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën, duke e plagosur një roje sigurie. Aeroporti Vnukovo, njëri prej katër aeroporteve të mëdha në Moskë, u mbyll përkohësisht pas sulmeve.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti atë “tentim sulm terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan, duke u përplasur pastaj në kompleksin prestigjioz të biznesit në Moskë, Moskva-Citi.

LEXO MË SHUMË: Zelensky paralajmëroi se lufta në Rusi po vjen, pas sulmeve me dronë në Moskë