Policia me detaje për vrasjen në Gajre të Tetovës: Nuk zbatoi urdhrat andaj policia e qëlloi

Policia e Maqedonisë së Veriut ka dalë me detaje lidhur me vdekjen e të dyshuarit për vrasjen që ndodhi në muajin korrik në rrugën “Shtipska” të Tetovës. Mbrëmë policia e gjeti të dyshuarin ndërsa ai nuk zbatoi urdhrat e policisë, me çka policia e plagosi ndërsa më vonë ai vdiq, raporton Portalb.mk.

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë informoi se më 23 gusht 2024, rreth orës 22:00, zyrtarët policorë nga SPB Tetovë dhe Departamenti për Operacione Speciale Policore, pas informacioneve operative të marra paraprakisht se L.M. (41) nga fshati Gajre i Tetovës i cili dyshohet për veprën penale të vrasjes më 05.07.2024 ndërsa kërkohej edhe për arratisje nga Spitali Psikiatrik Bardhovcë, gjendej në fshatin Gajre.

“Ata morën masa dhe aktivitete për ta privuar nga liria personin. Pas urdhërave për bastisje në tre shtëpi në Gajre, kur u morën masa për kontrollin e një shtëpie në pronësi të Z.M., u gjet L.M., i cili ka qenë i armatosur me automatik dhe ka bërë rezistencë dhe nuk ka zbatuar urdhrat e punonjësve të policisë, por ia ka drejtuar automatikun punonjësve të policisë, pas së cilës policët kanë qëlluar”, thanë nga SPB Tetovë.

Nga atje shtuan se më është kërkuar ndihma mjekësore nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore dhe është njoftuar edhe prokurori publik.

“Te L.M. u gjet edhe një pistoletë dhe korniza për automatik dhe fishekë. Rreth orës 22.50 L.M. ka ndërruar jetë, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Urgjencës Mjekësore”, thanë nga SPB Tetovë.

Ekipet policore kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në repartin e mjekësisë ligjore në Spitalin Klinik të Tetovës.

Rasti zanafillën e ka që në fillim të këtij viti dhe përleshjeve midis dy vëllezërve nga fshati Gajre dhe një familjeje nga Tetova.

Më 11 janar 2024 para Spitalit të Tetovës me armë zjarri u plagosën dy vëllezër, njëri prej të cilëve ndërroi jetë disa ditë më vonë.

Në lidhje me këtë rast, të shtëna pati edhe më 11 prill 2024, por nuk pati të lënduar.

Ndërkaq më 5 korrik 2024 mbeti i vrarë një person tjetër.