Policia arrestoi tre persona nga Shkupi gjatë aksionit ku u kap drogë në vlerë mbi 600 mijë euro
Tre qytetarë nga Saraji i Shkupit janë arrestuar gjatë një aksioni të Policisë së Maqedonisë së Veriut për ndërprerjen e një kanali të tregtisë me drogë, transmeton Portalb.mk.
“Janë privuar nga liria B.A. (37) nga f. Bukoviq, komuna Saraj, M.A. (21) nga f. Kopanicë dhe N.A. (18) nga f. Bukoviq. Gjatë kontrollit të automjetit “Mercedes” me tabela të regjistrimit të Shkupit, të cilin e ka ngasur B.A., janë gjetur dhe sekuestruar katër çanta me gjithsej 100 kilogramë marihuanë të cilësisë së lartë në vlerë prej rreth 300.000 eurove, e cila sigurisht vjen nga fabrikë për prodhimin e vajit nga kanabisi për qëllime mjekësore, e cila nëse do të shitej në rrugë do të arrinte çmimin e mbi 600.000 eurove”, raportoi Policia.
Policia sqaroi që me urdhëresë gjyqësore është kryer bastisje në shtëpitë e tyre ku janë gjetur dy pistoleta pa leje.
“Në bulevardin “Mareshali Tito” në Negotinë, nëpunës policorë kanë dhënë urdhër për ndalimin e automjetit “Skoda Octavia” me tabela të regjistrimit të Shkupit, por i njëjti nuk është ndaluar, kurse menjëherë pas kësaj është ndalur automjeti “Mercedes”. Me këtë rast shoferi i automjetit ka tentuar të arratiset, por shumë shpejt është kapur, kurse gjatë kontrollit të automjetit është gjetur droga. Shumë shpejt, pas ndërmarrjes së masave është gjetur dhe është ndaluar automjeti “Skoda Octavia”, të cilin e ka ngasur M.A., kurse bashkudhëtar ka qenë N.A.”, sqaroi Policia.