Polici dhe korrieri i Gjykatës së Shkupit të dyshuar për rryshfet, njëri në paraburgim tjetri në arrest shtëpiak
Gjykata Themelore Penale Shkup ka caktuar masa paraburgimi për dy nga punonjësit e saj, nën dyshimin për veprën penale “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, transmeton Portalb.mk.
Për policin gjyqësor G. A. A. është caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh me vendim të marrë më 9 prill të këtij viti.
Ai dyshohet për veprën “pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa gjykata gjatë vendimmarrjes vlerësoi se ekziston rrezik arratisjeje dhe mundësi për ndikim mbi dëshmitarët dhe provat gjatë procedurës. Ky vendim është tashmë i formës së prerë.
Për të dyshuarin e dytë, F. Xh., i cili në gjykatë ka punuar si korrier, është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh më 22 prill.
Ai dyshohet për ndihmë në kryerjen e të njëjtës vepër penale. Edhe pse prokuroria kompetente kishte kërkuar paraburgim me burg, gjykata nuk e pranoi këtë propozim, pas së cilës prokurori publik ka paraqitur ankesë në këshillin penal.
Nga Gjykata Penale theksojnë se, pavarësisht se të dy të dyshuarit janë të punësuar në këtë institucion, gjykata ka qenë e detyruar të vendosë mbi propozimet, pasi vepra bie në kompetencë të departamentit për krim të organizuar dhe korrupsion.
Sipas praktikës gjyqësore, në raste të tilla gjykata nuk mund të përjashtohet nga procedimi.