Po shpërndahen dezinformata për ngrohjen qendrore në konviktin “Stiv Naumov”, studentët tanimë kanë ngrohje

Ngrohja qendrore në konviktin studentor “Stiv Naumov” në Shkup është funksionale, ndërkaq defekti që është paraqitur në rrjetin e ngrohjes qendrore është rregulluar që prej javës së kaluar. Informata se studentët janë të lënë pa ngrohje qendrore deri sot dhe se nuk do të rregullohet është e pasaktë, thotë për Meta.mk, drejtori i Shtëpisë Shtetërore Studentore, nën kompetencën e të cilës është edhe “Stiv Naumov”, Viktor Velevski.

Njoftimi se ngrohja qendrore në këtë konvikt nuk punon, dje u dha nga një e-mail i dërguar në media me emrin “Revolucioni studentor”, pa theksuar nëse bëhet fjalë për ndonjë lëvizje, grup të studentëve ose persona të tretë.

Në kumtesë thuhet se studentët e “Stiv Naumov” janë njoftuar se ngrohja qendrore në ndërtesën e shtëpisë studentore “nuk do të rregullohet”.

Si “konfirmim” për njoftimet e këtilla, grupi deri te mediat ka dorëzuar një “skrinshot” nga diçka që duhet si bashkëbisedim në aplikacionin Viber, gjatë së cilës tregohet se burim i informatës është roja te dera.

Biseda në viber e dërguar “Revolucioni studentor”

“Para ca kohësh morëm informatë se ngrohja në shtëpinë studentore ‘Stiv Naumov’ nuk punon, që ndikon në kushtet për jetesë të kolegëve tanë studentë. Në fakt, studentëve banues në shtëpinë studentore ‘Stiv Naumov’ u është thënë se ngrohja në ndërtesë nuk do të rregullohet. Kjo paraqet sfidë të jashtëzakonshme dhe problem, veçanërisht kur po afrohen muajt e ftohtë”, thuhet në kumtesën e dërguar te mediat.

Kumtesa e “Revolucionit studentor” dje, pa u verifikuar nëse informata është e saktë në të, u transmetua nga shumë media, pas çka reagoi edhe drejtori i shtëpisë studentore, Velevski.

“Ju lus që të mos shpërndani dezinformata dhe për çështje që kanë të bëjnë me shtëpitë studentore është korrekte që para çdo publikimi të kontaktohet institucioni për të cilin publikohet ndonjë lajm. Është e saktë se disa ditë nuk ka pasur ngrohje, për shkak të defektit të rrjetit të ngrohjes. I njëjti është sanuar, dhe me atë ngrohja në shtëpinë studentore është në funksion”, shkruajti dje Velevski në Facebook.

Meta.mk, sot në mëngjes e kontaktoi drejtorin e Shtëpisë Studentore, i cili konfirmoi se javën e kaluar me të vërtetë ka pasur defekt në rrjetin furnizues, por se i njëjti është rregulluar të premten.

“Kishte rrjedhje në rrjetin e ngrohjes qendrore dhe u zëvendësua tërësisht. Ai ishte defekti, ndërkaq ngrohja qendrore nuk funksionoi dy ditë – të mërkurën dhe të enjten. Të premten u lëshua në funksion dhe prej atëherë punon”, thotë Velevski.

Ai thotë se deklarata e “rojës” për funksionimin e ngrohjes nuk mundet të llogaritet si relevante pasi që nuk është në domenin e punës së tij dhe se ndërtesa në “Stiv Naumov” ka drejtues i cili është përgjegjës për defekte të këtilla dhe të ngjashme në shtëpinë studentore.

“Kur Revolucionit Studentor i duhet diçka e dinë numrin tim, e dinë ku të më gjejnë, të më pyesin çfarë ka qenë. Dhe kur dëshirojnë të bëjnë prej asgjë – diçka, atëherë e pyesin rojën”, thotë Velevski.

Informata e vonuar dhe alarmi i rrejshëm nga “Revolucioni Studentor” se ngrohja qendrore nuk do të rregullohet hapin dyshime për qëllimet e grupeve të caktuara që të shkaktojnë revolt mes studentëve.

Aq më shumë, kjo nuk është hera e parë që këtë periudhë të shpërndahen dezinformata lidhur me funksionimin e Shtëpisë Studentore “Stiv Naumov”. Javën e kaluar, deri te redaksia e Meta.mk arriti fotografi me njoftim të rrejshëm të vendosur në shtëpinë studentore në të cilën shkruan: “Prej 18.11.2023, mensa për vikend nuk do të punojë”.

Njoftimi i rrejshëm se mensa nuk do të punojë gjatë vikendit

Bëhet fjalë për gënjeshtër, pasi që mensa në “Stiv Naumov” vikendin e kaluar ka punuar me orar të plotë pune. Velevski thotë se është i njoftuar me përpjekjet që të shpërndahen gënjeshtra mes studentëve, por nuk dëshiroi të komentojë se cili grup qëndron prapa tyre.

“Njerëzit që punojnë në Stiv Naumov – edhe ata në mensë, por edhe tërë ekipi i shtëpisë studentore luftojmë që të bëjmë më shumë sa të jetë e mundur, ndërkaq dikush shpërndan gënjeshtra”, thotë Velvski.

Prej tre ndërtesave, për momentin në “Stiv Naumov” funksionon vetëm një, përveç barakave. Dy ndërtesat e mbyllura presin që të rinovohen që të mundet në to të akomodohen studentët.