PLD me propozim që në çdo komunë të hapet qendër familjare për dhunën mes bashkëmoshatarëve

Partia Liberal-Demokrate (PLD) propozon që në çdo komunë në Maqedoninë e Veriut të hapen qendrat familjare për parandalimin e dhunës midis bashkëmoshatarëve, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e PLD-së dhe deputetja në Kuvend, Monika Zajkova, dhe anëtari i Bordit Drejtues të partisë, Boban Jankoski, përmes një videoje bënë thirrje për veprim të shpejtë për uljen e rasteve të dhunës mes bashkëmoshatarëve.

“PLD propozon formimin e qendrave familjare në çdo komunë. Në to do të ketë sociologë, psikologë, punonjës socialë dhe terapistë familjarë, të cilët do të punojnë me fëmijët, por edhe me prindërit”, tha Zajkova.

Ajo sqaroi se të njëjtat të jenë kompetente për të dhënë këshilla, për t’i dëgjuar problemet, por edhe për të ofruar edukim.

“Është më mirë të parandalojmë sesa vazhdimisht të ‘shërojmë’ diçka që ndonjëherë as nuk mund të shërohet. Parandalimi nuk është shpenzim, parandalimi është investim në të ardhmen e Maqedonisë”, thotë Zajkova.

Jankoski thekson se vendi investon shumë pak në parandalim.

“Çdo ditë shohim video të dhunës mes bashkëmoshatarëve. Këta fëmijë nuk kanë lindur si dhunues, ata janë produkt i një sistemi që reagon ngadalë, i një shoqërie që neglizhon familjen, edukimin dhe shëndetin mendor”, thekson Jankoski.

Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për këtë problem.