Planeti po ngrohet më shpejt se kurrë

Nivelet e gazeve serrë në atmosferë kanë arritur vlerat më të larta të regjistruara ndonjëherë. Një raport i ri i Organizatës Botërore Meteorologjike, i publikuar në Gjenevë, paralajmëron se dyoksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit po arrijnë ekstremitete. Ndotja nga djegia e karburanteve fosile dhe zjarret masive në pyje, veçanërisht në Amerikën e Jugut, po e përshpejtojnë krizën klimatike, transmeton TV Klan.

Sipas raportit, vitet 2023 dhe 2024 shënuan rritjen më të madhe vjetore të dyoksidit të karbonit.

“Kemi nivelet më të larta të konstatuara ndonjëherë të gazeve serrë, dyoksidi i karbonit dhe oksidi i azotit. Nëse e shohim nga një aspekt historik, këto janë nivelet më të larta që planeti ka përjetuar.”

Shkencëtarët thonë se përqendrime të ngjashme të dyoksidit të karbonit janë zbuluar vetëm 3 deri në 5 milionë vjet më parë, kur Toka ishte 2 deri në 3 gradë më e nxehtë, dhe niveli i detit ishte deri në 20 metra më i lartë se sot. Rritja e emetimeve të CO2 jo vetëm që ndikon në klimën globale sot, por do ta bëjë këtë për qindra vjet për shkak të jetëgjatësisë së gjatë të gazit në atmosferë.

“Nivelet aktuale të dyoksidit të karbonit janë më të lartat në të paktën 3 deri në 5 milionë vjet. Në atë periudhë, temperatura globale ishte më e lartë. Por atëherë, në planet nuk ekzistonin njerëzit.”

Amazona, një pjesë e madhe e pyjeve dikur “mushkëritë e planetit” po kthehen në burim të emetimeve të karbonit. Për shkak të temperaturave të larta, thatësirave dhe shpyllëzimit, këto zona tashmë lëshojnë më shumë dyoksid karboni sesa thithin.

“Zonat më të mëdha të pyjeve të Amazonës, gjatë 10 viteve të fundit, kanë emetuar më shumë dyoksid karboni sesa kanë përthithur. Kjo është alarmante, sepse pyjet e shëndetshme marrin rreth 25% të emetimeve njerëzore. Nëse pyjet shkatërrohen ato vetë fillojnë të lëshojnë gazra të rrezikshëm.”

Megjithatë, shkencëtarët janë të shqetësuar për një faktor të tretë, mundësinë që rezervuarët e karbonit të planetit po fillojnë të dështojnë. Rreth gjysma e të gjitha emetimeve të CO2 çdo vit tërhiqen nga atmosfera duke u tretur në oqean ose duke u thithur nga pemët dhe bimët në rritje. Por oqeanet po bëhen më të nxehta dhe për këtë arsye mund të thithin më pak CO2, ndërsa në tokë kushtet janë më të nxehta dhe më të thata, dhe më shumë zjarre nënkuptojnë më pak rritje të bimëve.

“Atmosfera është si një kolektor i të gjitha gazrave që ne lëshojmë. Sistemet natyrore që ndihmojnë në pastrimin e saj janë kaq të mbingarkuara, sa po e humbasin aftësinë për të na ndihmuar.”

Tarasova dhe kolegët e saj theksojnë se çdo molekulë e lëshuar në ajër ka një ndikim global. Çdo sasi shtesë e dyoksidit të karbonit funksionon si një ngrohës i vogël që ruan dhe rikthen nxehtësinë në atmosferë, duke përshpejtuar ndryshimet klimatike.

“Nëse e imagjinoni një molekulë CO₂ si një ngrohës të vogël që thith nxehtësinë dhe e rikthen në ajër sa më shumë molekula të kemi, aq më e madhe është nxehtësia që mbetet në atmosferë.”

Raporti i WMO-së publikohet pak javë para Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Klimën që do të mbahet në Brazil, ku vendet pritet të diskutojnë masa të reja për uljen e emetimeve.

Ndërsa planeti përballet me përmbytje, valë të nxehti dhe thatësira ekstreme, shkencëtarët paralajmërojnë se veprimi i menjëhershëm është tashmë një domosdoshmëri, jo një zgjedhje.

Raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike vjen si një paralajmërim i qartë për njerëzimin se nëse nivelet e gazrave nuk ulen ndjeshëm dhe shpejt, planeti ynë mund të hyjë në një epokë të re të pasigurisë klimatike.

Në vendet e zhvilluara, organizata dhe qeveri të ndryshme kanë marrë iniciativa për të penguar përhapjen e dyoksidit të karbonit.

Në kryeqytetin e Kilit, Santiago, është inaguruar ndërtesa e pare në vend e projektuar për të gjeneruar më shumë energji dhe për të bllokuar karbonin në strukturën e tij prej druri.

Në pronësi të një firme zvicerane, ndërtesa përfshin 37 panele diellore, rrethohet nga bimësi të ndryshme dhe përfshin tabela edukative për të promovuar shmangien e ndotjes së ajrit.