Pishinën e filluar në qershor 2024, Mexhiti e promovoi sot si pjesë të ‘Masterplanit për Çairin’

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti e promovoi sot hapjen e pishinës në Çair në afërsi të Sh.F. “Ismail Qemali”, e cila do të përdoret nga nxënësit e shkollave fillore. Edhe pse pishina e njëjtë kishte filluar të ndërtohet para një viti, pra në qershor 2024 dhe ishte premtuar të përfundojë brenda po të njejtit vit, sot Mexhiti këtë projekt e përfshiu si pjesë e “Masterplanit për Çairin”. Ky masterplan që parashihte të zgjidhte kaosin urbanistik si dhe problemet infrastrukturore u prezantua gjatë fushatës parazgjedhore në krye me arkitektin nga Turqia me prejardhje nga Shkupi, Bajram Vardar, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti e promovoi sot hapjen e pishinës në Çair në afërsi të Sh.F. “Ismail Qemali”. Gjatë përurimit, i pyetur nga Portalb.mk, se kur do të fillojë implementimi i “Masterplanit për Çairin”, ai tha se edhe pishina është pjesë e këtij plani.

“Deri më tani kemi filluar edhe me pishinën e dytë te Shkolla Fillore “7 Marsi”, e cila është pjesë e Masterplanit. Ndërsa pishina e tretë e cila prej që është ndërtuar nuk ka qenë në funksion. Po punojmë ta funksionalizojmë dhe ta vëmë deri më tani e kemi rikthyer në pronë të komunës. Aty sigurisht do të jetë kompleks sportiv. Pjesë e Masterplanit është edhe rruga “Ferid Muradi”, ku po punohet dhe është investim një milion euro. Po presim të filloj rruga “Mit’hat Frashëri”, po punohet me intensitet të lartë që gjatë muajit korrik apo gusht të filloj edhe rruga “Cvetan Dimov”. Pra, Masterplani jo që po bëhet, por do të realizohet para parashikimeve që e kemi paraparë dhe premtuar para qytetarëve”, tha Mexhiti 

Kujtojmë se Masterplanin Izet Mexhiti, e promovoi  gjatë verës së vitit 2025 kur e paraqiti kandidaturën për kryetar të Komunës së Çairit. Masterplani i prezantuar nga Izet Mexhiti, parashihte zgjidhjen e problemeve të përditshmeve të qytetarëve dhe transformimin e komunës në një hapësirë me standarde evropiane.

Mexhiti sot na tha se po punohet në mënyrë intensive në implementimin e tij.

Sipas asaj që është publikuar, “Masterplani” i mbështetur në shtatë shtylla kryesore, sipas prezantimit gjatë fushatës, përfshinte ofrimin e zgjidhjeve për komunikacionin, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit, e ekonomisë, fuqizimin e arsimit, kulturës, sportit dhe artit. Vizioni  parashihte  ndërtimin e bulevardit “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, duke mundësuar lëvizjen nga Autokomanda në drejtim të Sarajit pa kaluar nëpër Çair. Gjithashtu, parashikohet zgjerimi i bulevardeve “Mithat Frashëri” (brigada Maqedonase-Kosovare), “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe  shpërthimi i nyjave kyçe që do të mundësojë lehtësimin e qarkullimit. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i rrethit të komunikacionit përreth parkut-pyllit të Gazi Babës. 

Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, “Masterplani” pothuajse nuk u përmend më nga autoritetet komunale deri në pyetjen gazetareske të Portalbit. Deri më tani nuk ka prezantim publik të detajeve të projektit, afate konkrete për realizim apo transparencë mbi atë se në çfarë faze ndodhet ky plan përderisa qytetarët vazhdojnë të përballen me të njëjtat probleme urbanistike.

Reaguan edhe nga opozitarja BDI, duke akuzuar se “VLEN dhe Mexhiti të zënë ngushtë nga dështimet dhe mungesa absolute e rezultateve, vazhdojnë të merren me propagandë dhe me përvetësimin e projekteve që nuk janë të tyre”. Siç thonë nga BDI, pishina e promovuar nga VLEN, është pjesë e projektit të Qeverisë 2020-2024. 

“Ironia më e madhe është se pikërisht ata që sot flasin për zhvillim, janë autorët e regresit të të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe të minimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në mungesë të legjitimitetit, punës, ideve dhe vizionit, ata vazhdojnë të krekosen me projektet tona. Pishina e promovuar sot është tërësisht projekt i Qeverisë 2020–2024. Vlera e këtij projekti arrin deri në 1 milion euro. Gur themeli i saj është vendosur nga qeverisja 2020–2024 dhe financimi është siguruar po nga ajo qeveri. Madje edhe operatori ekonomik, kompania Eurovia, kishte përfunduar punimet me kohë. Por, për shkak të mungesës së rezultateve dhe nevojës për marketing politik, VLEN me qëllim ka stagnuar lëshimin në përdorim të këtij projekti, vetëm për interesa të ngushta politike dhe për një fotografi më shumë para qytetarëve”, thonë nga BDI.

Sa i përket Masterplanit të prezantuar nga Mexhiti dhe VLEN, për BDI-në ky projekt ka qenë një mastrim për qytetarët e Çairit, ndërsa interesat personale dhe grupore me ndërtimet në Çair kanë vazhduar.

Kujtojmë që ish-kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, më 15.07.2025 ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe disa punonjësve të tjerë të komunës, duke deklaruar se Komuna e Çairit, dyshohet se ka përdorur një regjistër të falsifikuar në të cilin janë regjistruar kërkesat për legalizimin e ndërtesave të paligjshme në Komunën e Çairit. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka rreth 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon Izet Mexhitin dhe ish-kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska madje kërkoi ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.