RMV minus nga BE-ja, dysh për nxënësit nga PISA – ngjarjet që e shënuan arsimin në vitin 2023

Nota të dobëta nga Komisioni Evropian, mungesë e teksteve, pasiguri për mbajtjen e provimit të maturës shtetërore, nota të dobëta për nxënësit nga testi PISA, paga më të larta për mësuesit, ditar i ri elektronik, pushim pranveror… Kur bëhet fjalë për arsimin fillor dhe atë të mesëm këto janë vetëm një pjesë e gjërave që shënuan vitin e kaluar kalendarik 2023, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet për cilësinë e arsimit në Maqedoni në të shumën e rasteve maten nga OECD nëpërmjet testimeve ndërkombëtare. Dhe pikërisht aty nxënësit tanë tregojnë rezultate të dobëta. Kjo është e lidhur ngushtë me rënien e cilësisë së arsimit, me rënien e kritereve të vlerësimit (gjithnjë e më pak njohuri mjaftojnë për të marrë një notë solide), por edhe me trajtimin e autoriteteve për resorin më të rëndësishëm në shtet – për arsimin ndahen shumë pak fonde dhe nuk tregohet seriozitet në qëllimet për përforcimin dhe avancimin e asaj që vlen.

Nxënës, matura shtetërore, maturantë. Foto: Meta.mk
Nxënës. Foto: Meta.mk

Notë e dobët nga KE-ja për sistemin

Pak kohë më parë arritën notat për sistemin arsimor nga Komisioni Evropian për vendin tonë. Në raport thuhet se Maqedonia është “mesatarisht e përgatitur” në fushën e arsimit dhe kulturës. Është arritur një “progres i kufizuar” në prezantimin e udhëzimeve dhe programeve për përforcimin e inkluzivitetit, ndërsa zbatimi i Strategjisë për arsimin 2018-2025 vazhdon të jetë i ngadaltë. Në raport thuhet se mekanizmat për monitorimin e Strategjisë për arsimin 2018-2025, dokumenti që e rregullon sektorin e arsimit, nuk janë të përcaktuara mirë, ndërsa shtetit i bëhet vërejtje për atë se nuk është miratuar ende Ligji për arsimin e të rriturve.

Vërejtje kishim edhe për buxhetin të cilin e ndan shteti për arsimin. Shpenzimet publike për arsim dhe trajnim kanë shënuar një rënie të lehtë në 3.71% të PVB-së në vitin 2022 (3.98% në 2021), që vazhdon të jetë sërish shumë nën mesataren e BE-së prej 5%.

Dyshanemik nga PISA

Pas raportit të KE-së pasuan notat/rezultatet nga  testimi ndërkombëtar PISA. Sipas rezultateve të fundit të testimit PISA, nxënësit maqedonas sërish u gjendën kah fundi i gjithsej tetëdhjetë vendeve në këtë listë. Nga gjithsej 81 shtete që ishin pjesë e testimit, sipas rezultateve të matematikës, me 389 pikë Maqedonia u gjend në vendin e 61-të. Sa i përket matjes së shkrim-leximit gjuhësor, pra leximit me kuptim, me 359 pikë vendi u rendit në vendin e 71-të. Në shkencat natyrore nxënësit tanë fituan 380 pikë, me çka vendi u rendit në vendin e 68-të. Sipas arritjeve në lëndën e matematikës, nxënësit  tanë për nga njohuritë janë afër me nxënësit në Tajlandë, Peru, Arabinë Saudite, Kosta Rika. Sa i përket leximit me kuptim jemi njësoj si Indonezia dhe Shqipëria, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë fituan pothuajse të njëjtin numër pikësh si ata nga Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Shqipëria.

Këshilli i BE-së Bashkimi Evropian BE Eurointegrime. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Këshilli i BE-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Minus edhe për ministrin Shaqiri

Ky vit do të mbahet mend edhe për faktin se ministri Jeton Shaqiri është ministri i parë i arsimit dhe shkencës i cili mori  padi nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, për shkak se më 1 shtator nuk arriti të sigurojë tekste shkollore për të gjithë nxënësit. Në fillim të vitit shkollor kishte mungesë të madhe të teksteve shkollore, pra mungonin më shumë se një e treta e teksteve në klasa të ndryshme. Thënë përmes numrave, nga gjithsej 123 tekste shkollore, mungonin 46.

Pasiguri rreth mbajtjes së provimit të maturës

Në maj të këtij viti nuk ishte e sigurt  nëse maturantët do t’i nënshtroheshin provimit shtetëror të maturës. Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP, institucioni që e organizon të gjithë procesin) hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Në momentin e fundit ata vendosën të ndërpresin grevën dhe ta organizojnë dhe zbatojnë maturën shtetërore, që nxënësit të mos jenë dëm kolateral dhe të mund të regjistrohen në fakultet, duke pasur parasysh se matura është kusht për regjistrimin në fakultet.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës MASH, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ministria e Arsimit dhe Shkencës MASH, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

E-ditar nga i cili nuk të dhemb koka 

Pas problemeve të shumta që i shkaktoi ditari i vjetër elektronik këtë vit MASh-i njoftoi për një ditar të ri elektronik të avancuar. Autoritetet siguruan se mësuesit nuk do të kenë më dhimbje koke gjatë futjes së të dhënave në ditar. Ata premtuan një zgjidhje softuerike me një bazë të vetme të dhënash dhe administrim qendror, bashkë me optimizimet e integruara që duhet t’i zgjidhin problemet teknike gjatë futjes të të dhënave. Nëse kjo është një zgjidhje e mirë do të shihet më së miri në qershor, kur mbi 20 mijë mësues në vend do të duhet ta përdorin pothuajse në të njëjtën kohë ditarin elektronik.

Pushimi pranveror 

Këtë vit për herë të parë autoritetet vendosën që nxënësit dhe mësuesit të kenë një pushim pranveror njëjavor. Pushimi do të zgjasë nga data 29 prill deri më 5 maj, ndërsa viti shkollor do të përfundojë më 17 qershor.

Në përgjithësi, nëse vitin e kaluar pritshmëritë ishin se pas gjithë lajmërimeve për bomba dhe humbjes së orëve të mësimit gjërat do të shkonin për mirë, këtë vit kjo gjë nuk ndodhi. Arsimi vazhdon të mbetet i brishtë për nga cilësia dhe një resor i cili nuk merr trajtimin e duhur të cilin e ka të nevojshëm.