PISA publikoi rezultatet për 2022-shin, Maqedonia e Veriut shënoi rënie të përgjithshme në cilësinë e arsimit

U publikuan rezultatet e studimit ndërkombëtar PISA i cili u realizua  në vitin 2022. Sot, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) publikoi rezultatet e këtij testimi të fundit ndërkombëtar, të cilat në Maqedoninë e Veriut tregojnë rënie të përgjithshme të nivelit të shkrim-leximit gjuhësor, matematikës dhe shkencave te nxënësit e moshës 15 vjeç në pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse, transmeton Portalb.mk.

“Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut ruajnë nivelin që ishte në  vitin 2018. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara , vendi ynë është në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim  jemi  renditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e rendit vendin tonë në vendin e 68-të në Evropë”, thonë nga MASh.

Në Maqedoninë e Veriut, 34% e studentëve arritën të paktën nivelin 2 të aftësisë në matematikë, dukshëm më pak se mesatarja në vendet e OECD-së (mesatarja e OECD: 69%).

“Rreth 1% e nxënësve në Maqedoninë e Veriut ishin performuesit më të mirë në matematikë, që do të thotë se ata arritën nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës PISA (mesatarja e OECD: 9%). Në këto nivele, nxënësit mund të modelojnë matematikisht situata komplekse dhe mund të zgjedhin, krahasojnë dhe vlerësojnë strategjitë e duhura të zgjidhjes së problemeve për t’i trajtuar ato”, thuhet në vlerësimin e PISA-s.

Rezultatet do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për rishikimin e politikave aktuale dhe krijimin e politikave arsimore të ardhshme, thonë nga MASh.

PISA është një nga testimet  ndërkombëtare më kredibile  dhe më të besueshme që mat shkrim-leximin, pra njohuritë e zbatueshme që i nevojiten nxënësit për të vazhduar arsimimin e tyre dhe për të pasur sukses në jetën e tij personale dhe profesionale. Detyrat në testet janë në lidhje me situata reale në të cilat mund të gjenden nxënësit dhe nëpërmjet përgjigjeve nuk matet riproduktiviteti por njohuria funksionale, e cila është e rëndësishme për lidhjen, kuptimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Testimi PISA për herë të parë në vendin tonë u realizua në mënyrë elektronike, ndërsa OECD dha vlerësim të lartë e cila e konfirmoi gatishmërinë teknike të Maqedonisë së Veriut dhe përsosmërinë e realizimit, gjë që nuk është rasti në 20% të vendeve pjesëmarrëse në të cilat nuk është respektuar të paktën një nga standardet e realizimit të testimit.

Kjo është pjesëmarrja e katërt e Republikës së Maqedonisë së Veriut në PISA, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më parë kemi qenë pjesë e studimeve në vitet 2000, 2015 dhe 2018. Në muajt prill dhe maj 2022 ishin  përfshirë 6610 nxënës nga 111 shkolla të mesme, ku varësishtë madhësisë janë testuar nga 35 deri në 155 nxënës në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Realizues i studimit në vendin tonë është Qendra Shtetërore e Provimeve.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

Kujtojmë se asgjë nuk është bërë për tre rekomandimet kyçe që i dha Komisioni Evropian Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 në fushën e arsimit dhe kulturës. Të njëjtat vlejnë edhe këtë vit. Raporti i KE-së për progresin në Kapitullin 26: Arsimi dhe kulura, është identik me atë të vitit të kaluar. Vendi vazhdon të mbetet mesatarisht i përgatitur në këtë fushë. Njëjtë si edhe në periudhën paraprake raportuese edhe në këtë periudhë, është bërë përparim i kufizuar me miratimin dhe prezantimin e udhëzimeve dhe programeve për të forcuar përfshirjen dhe promovimin e aftësive të gjelbra. Zbatimi i strategjisë së arsimit 2018-2025 ka vazhduar të jetë të jetë i ngadaltë, si dhe zhvillimi i një sistemi të duhur monitorimi. Kurse, miratimi i legjislacionit kryesor u vonua përsëri