Të sëmurët kronik nuk do të lirohen nga puna për shkak të valës së nxehtë, mund të marrin pushim mjekësor

Tani për tani, Ministria e Shëndetësisë nuk do të propozojë masë që të sëmurët kronikë të lirohen nga obligimet e punës, për shkak të valës së nxehtit që e ka përfshirë Evropën, përfshirë dhe vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë për Meta.mk, thonë se në seancën e fundit qeveritare, është miratuar pakoja e rekomandimeve për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta dhe fazën portokalli në të cilën ndodhet vendi, por në mesin e tyre nuk ka rekomandim për të sëmurët kronik, veçanërisht për ata me probleme kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, ose për personat që temperaturat e larta mund t’ua përkeqësojnë gjendjen shëndetësore.

“Ministria e Shëndetësisë ua bën me dije personave të cilët kanë sëmundje kronike që të këshillohen me mjekun e tyre amë, nëse në momentin e valës së nxehtë, është e nevojshme të hapet pushim mjekësor. Ministria e Shëndetësisë apelon deri te të gjithë qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e miratuara nga Qeveria, por edhe këshillat e mjekëve të tyre amë. Në rekomandimet e MSH-së, ndalohet kryerja e aktiviteteve në ambient të hapur në periudhën prej orës 11:00 deri në 17:00 pa dallim të gjendjes shëndetësore të qytetarëve”, thonë nga Ministria.

Nga Qeveria njoftuan se faza portokalli në të cilën ndodhet shteti pritet të zgjatë në 10 ditët e ardhshme.

Për këtë, prej dje, vazhduan të vlejnë rekomandimet për zvogëlimin e rreziqeve nga temperaturat e larta, në pajtueshmëri me Planin Aksional të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalim të pasojave nga valët e nxehta ndaj shëndetit të popullatës.

Sipas asaj që është miratuar, Qeveria rekomandon:

  • Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më vulnerabël të popullsisë, si: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç;
  • Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
  • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për të vetmuarit, të moshuarit, të dobëtit dhe të pastrehët. Punëdhënësve u kujtohet detyrimi për të respektuar rregulloret ligjore në këtë fushë.

Sipas informacioneve të marra, Qeveria vendosi:

  • Autoritetet shtetërore dhe ndërmarrjet dhe institucionet publike të respektojnë rekomandimet;
  • Qeveria i rekomandon sektorit privat që të organizojë orarin e punës për të mbrojtur punëtorët nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, mbi të gjitha duke shmangur qëndrimin në ambient të hapur në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00;
  • Të gjitha personat juridikë që kryejnë veprimtari në ambient të hapur, të ndërpresin veprimtarinë e tyre në periudhën prej orës 11 deri në 17:00 dhe kjo veçanërisht vlen për punën e punëtorëve të ndërtimit;
  • Kopshtet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës në periudhën nga ora 7:00 deri në orën 17:00, në atë mënyrë që të mos ushtrojnë aktivitet fizik dhe fëmijët të mos dalin jashtë pas orës 11:00.

Evropa përgatitet për kulmin e të nxehtit teksa bota shënon temperatura rekorde

Evropa po përgatitet për temperatura të larta të martën, gjatë një vale nxehtësie ndërkohë që zjarret kanë përfshirë pjesë të hemisferës veriore, duke shtyrë autoritetet që bëjnë evakuimin e 1.200 fëmijëve pranë një resorti bregdetar grek, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Autoritetet shëndetësore, nga Amerika e Veriut, Evropa e Azia, kanë lëshuar paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë të hidratuar dhe të kërkojnë strehim nga dielli përvëlues.

Evropa, kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, po përgatitet për kulmin e valës aktuale të të nxehtit, me ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës, të cilët do të goditen nga një temperaturë maksimale prej 48 gradësh celsius, ka parashikuar Agjencia Evropiane e Hapësirës.

Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Evropë u regjistrua në vitin 2021 në Sicili, që arriti në 48.8 gradë celsius, sipas agjencisë së motit të OKB-së.

Në afërsi të Athinës, shërbimet e urgjencës vazhduan të luftojnë zjarret për të dytën ditë radhazi në lokacione të ndryshme.

“Shqetësimi ynë kryesor është t’i mbrojmë njerëzit”, tha një zëdhënës i zjarrfikësve në Greqi.

Një zjarr në pyll u ndez nga erërat e forta pranë qytetit të plazhit të Loutrakis, ku kryebashkiaku tha se 1.200 fëmijë ishin evakuuar nga kampet e pushimeve.

“Moti ekstrem… po ka një ndikim të madh në shëndetin e njerëzve, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë, energjinë dhe furnizimet me ujë”, tha sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) Petteri Taalas.

“Kjo thekson urgjencën në rritje të uljes së emetimeve të karbonit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.