Pesë familje nga RMV kërkuan evakuim nga zjarret në Greqi

Pesë familje nga Maqedonia e Veriut deri më tani kanë kërkuar ndihmë ose asistencë për evakuim nga zonat e prekura nga zjarret në Greqi, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJ), bazuar në të dhënat nga përfaqësia diplomatike-konsullore në Selanik, shkruan Portalb.mk

Në koordinim me shërbimet kompetente greke, shtetasit e Maqedonisë së Veriut, janë drejtuar drejt pikave më të afërta të përcaktuara për këtë qëllim, ku janë sistemuar së bashku me turistët e tjerë. 

Ministria përsëriti apelin për të gjithë qytetarët e RMV-së që ndodhen në zonat e prekura dhe kanë nevojë për asistencë, që menjëherë të kontaktojnë në telefonin kujdestar të MPJ-së: +389 75 268 736, në adresën elektronike [email protected] ose në numrat kujdestarë të Konsullatës në Selanik: +30 694 526 8068 dhe +389 71 323 001. 

Nga MPJ gjithashtu u bëjnë thirrje qytetarëve që qëndrojnë në rajonet e prekura që ta ndjekin me kujdes situatën dhe t’u përmbahen udhëzimeve dhe rekomandimeve të autoriteteve lokale greke. 

Pasi dje shpërtheu një zjarr i madh pyjor pranë zonës së njohur turistike Siviri, në krahun e parë të gadishullit të Halkidikisë në Greqi, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njoftuan se nga institucionet kompetente greke nuk kanë marrë informacion zyrtar për numrin e shtetasve të Maqedonisë të evakuuar nga zonat e përfshira nga zjarret. 

Ndërkohë, nga Shërbimi Zjarrfikës grek thanë se intensiteti i zjarrit është ulur gjatë mbrëmjes, megjithëse ende nuk është vënë nën kontroll. Nga Siviri, përmes detit, janë evakuuar gjithsej 481 persona. Në transportimin e njerëzve, siç raportojnë mediat greke, janë përfshirë dy anije të Rojës Bregdetare Greke, dy anije të Brigadës së Zjarrfikësve, tri anije peshkimi, anije private dhe një traget i shpejtë për pasagjerë. 

Ndryshe, nga MPJ qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ndodhen në zonat e kërcënuara u kërkohet të ndjekin me kujdes informacionin dhe t’u binden udhëzimeve të autoriteteve lokale, veçanërisht urdhrave të evakuimit.