Me 300.000 euro nga Japonia në RMV do të blihen aparate për spitale, veturë për një komunë dhe do të rinovohet një shkollë

Japonia ka dhuruar mbi 300.000 euro për pesë projekte në Maqedoninë e Veriut edhe atë në shëndetësi, arsim dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ambasadori i Japonisë Kazuja Ocuka dje nënshkruajti pesë marrëveshje për “Grant ndihmë të projekteve të vogla për siguri të njerëzve”, me qëllim që të përmirësohen nevojat themelore njerëzore në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Paratë janë për qëllim që të furnizohet rëntgen për Shtëpinë e Shëndetit Negotinë, automjet komunal për Komunën Rankovc, ultrazë për Spitalin e Specializuar për Geriatri dhe Mjekësi Paliative në Shkup “13 Nëntori”, për rikonstruim të çatisë së shkollë “Rade Kratovçe” në Komunën e Koçanit dhe për rinovimin e dyerve dhe dyshemeve të Klinikës së Kirurgjisë Digjestive në Shkup.

Nga viti 1996, nëpërmjet projekteve nga programi për grante të vogla (GGP), Japonia ka financuar në renovime dhe furnizim të pajisjeve dhe automjeteve për më shumë se 76 shkolla dhe çerdhe, 70 institucione shëndetësore dhe ka siguruar 36 automjete të specializuara për menaxhim me mbeturinat dhe shërbimet komunale për 53 komuna, në vlerë prej më shumë se 9,2 milionë euro.