Përsëriten mashtrimet e të moshuarve me aksidente të të afërmve në rajonin e Kumanovës
Dy përpjekje të ndryshme për të mashtruar gra të moshuara janë raportuar në policinë e Kumanovës për aksidente të dyshuara trafiku ku gjoja janë përfshirë të familjarët e tyre. Në rastin e parë, një grua e moshuar nga Nagoriçani i Vjetër në Kumanovë u mashtrua në lidhje me një aksident të dyshuar trafiku në Preshevë, në të cilin i është thënë se është lënduar një anëtar i familjes së saj, transmeton Portalb.mk.
“Dje në orën 15:50, një burrë 57-vjeçar raportoi se një person ishte përpjekur të mashtronte nënën e tij nga Komuna e Nagoriçani i Vjetër. Personi e telefonoi atë në telefon dhe i tha se një anëtar i familjes së saj dyshohet se kishte shkaktuar një aksident trafiku në Preshevë dhe se do të nevojitej një shumë e caktuar parash për të paguar një avokat. Ajo dyshoi se ishte një mashtrim dhe e përfundoi bisedën telefonike”, njoftoi Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) i Kumanovës.
Në rastin e dytë, një grua 35-vjeçare nga Kumanova raportoi dje në polici se një person ishte përpjekur të mashtronte gjyshen e saj nga një fshat në Kumanovë.
“Mashtruesi u përpoq ta manipulonte gruan duke e telefonuar dhe duke i thënë se një anëtar i familjes së saj ishte në gjendje kritike pas një aksidenti trafiku në Gjermani. Pasi ajo u bë dyshuese, personi e mbylli telefonatën”, tha policia e Kumanovës.
Prandaj, ata u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht të moshuarit, kur marrin telefonata nga persona të panjohur dhe të mos bien pre e mashtrimeve në të cilat ofrohen shërbime në mënyrë të rreme.
Këtë vit ka pasur një sërë mashtrimesh të kësaj natyre.
Vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 25 mashtrime të ngjashme, 15 prej të cilave në Shkup. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur katër kallëzime penale, dy prej të cilave për një autor të panjohur.
Sipas sociologëve për disa nga viktimat e mashtrimit rol luan edhe situata e përgjithshme në vend, ku ka shumë aksidente trafiku me përfundime tragjike, e ku si autorë ashtu edhe viktima janë të rinjte.