Përsëri pa afat për deponinë rajonale në Pollog, tenderi ende në përgatitje
Deponia rajonale për rajonin e Pollogut pavarësisht njëfarë progresi ende nuk është gati ndërsa nuk dihet kur do të përfundojnë të gjithë procedurat. Duhet të shpallet tenderi për ndërtimin e sistemit të ri rajonal, megjithatë duhet të përfundohen edhe disa parakushte, shkruan Portalb.mk.
Pas disa shkeljeve të afateve dhe zvarritjeve të procedurave, tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk është shpallur ende, ndërsa nuk dihet ende se kur do të shpallet i njëjti.
Për atë se ku ka mbetur ky projekt, biseduam me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Nga aty sqarojnë se në këtë drejtim duhet bërë dallim i qartë ndërmjet tenderit për ndërtimin e Qendrës rajonale dhe tenderëve për furnizimin me pajisje.
Për Rusinon tashmë është realizuar tenderi për furnizimin me mekanizim të specializuar për funksionimin e deponisë. Tenderi është shpallur më 11 nëntor 2024, ndërsa kontrata është nënshkruar më 16 korrik 2025 me kompaninë Sinpeks SHPK Manastir, në vlerë prej 1.142.200 euro, ku në kontratë përfshihen: kompaktor, ngarkues, traktor me cisternë uji, kamion, pjesë rezervë.
Gjithashtu, tenderi për ndërtimin e stacionit të transferimit Tetovë/Pollog është shpallur më 13 nëntor 2024, me afat për dorëzimin e ofertave deri më 27 shkurt 2025.
Megjithatë, sa i përket ndërtimit të sistemit të ri rajonal sanitar në Rusino, nga Ministria e Mjedisit duke mos dhënë afat konkret, thanë procedura ndodhet në fazën përgatitore dhe pritet të shpallet së shpejti.
“Ajo që aktualisht e ngadalëson shpalljen e tenderëve kryesorë për ndërtim është nevoja për përfundimin e të gjitha parakushteve: projekti përfundimtar, analizat shtesë mjedisore dhe sociale, rruga e qasjes, harmonizimi me kërkesat e BERZH-it, dokumentacioni i tenderit dhe angazhimi i mbikëqyrjes”, thanë nga Ministria e Mjedisit.
Kujtojmë se tenderi ishte planifikuar të shpallej në shtator 2025 por nuk u bë, ndërsa nga Ministria e Mjedisit në nëntor 2025 thanë se i njëjti pritet të shpallet brenda gjashtë muajve, ndërsa në shkurt 2026 ndryshuan fjalët, thanë se tenderi do të shpallet këtë vit, pa precizuar afate konkrete.
Paraprakisht Qeveria e RMV-së më 15 prill 2025 e miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog.
Sipas projektit, planifikohet ndërtimi i një deponie sanitare dhe mbyllja e deponisë së vjetër, nëpërmjet përmirësimit të vendndodhjes ekzistuese të deponisë konstante të Rusinos, do të vendoset në përputhje me Direktivën Kuadër të Mbetjeve të BE-së, Direktivën e Deponive dhe konkluzionet e Teknologjisë më të Mirë të Disponueshme (BAT) për trajtimin e mbeturinave.
Siç informuan nga Qeveria, zbatimi i plotë i projektit dhe vënia në punë e konceptit të ri pritet të përfundojë brenda dy viteve, pra në vitin 2027.
Ky projekt realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ai përfshin qendra rajonale për menaxhimin e mbeturinave, stacione transferimi, pajisje dhe automjete, mbylljen e deponive ekzistuese jostandarde, infrastrukturën e qasjes, si dhe analizat e nevojshme mjedisore dhe sociale.
Për rajonin e Pollogut dhe sistemin e përbashkët Pellagoni–Jugperëndim, këto aktivitete janë pjesë e Transhes së Parë të huasë së BERZH-it, në kuadër të së cilës janë siguruar deri në 47,5 milionë euro.
Për rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit, investimi parashikon ndërtimin e një Qendre rajonale në Novaci, tre stacione transferimi në Dibër, Ohër dhe Prilep, si dhe mbylljen e deponisë ekzistuese jostandarde Meglenci/Novaci.
Realizimi financiar i projektit është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me kredi shtetërore deri në 55 milionë euro për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu, në realizimin financiar të të gjithë projektit është përfshirë edhe një grant nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) prej 9 milionë franga (CHF), një grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) nga e cila Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 23.8 milionë euro, si dhe një grant nga Qeveria Suedeze përmes SIDA me 0.7 milionë euro.
Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
- LEXO: Pollogu pret deponinë moderne, tenderi shtyhet vazhdimisht
- LEXO: Zvarritet tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog
- LEXO: Tenderi për ndërtimin e deponisë rajonale në Pollog nuk u publikua në shtator, u shty përsëri afati
- LEXO: Mbi një milion euro investim në deponin rajonale në Rusino, premtoi Qeveria e RMV-së
- LEXO: Deponia moderne rajonale në Pollog pritet të jetë gati në 2027, gjithçka që pritet të ndodhë dhe ndërtohet
- LEXO: Qeveria miratoi ndërtimin e deponisë moderne në Pollog
- LEXO: Nuk do të hapen në prill, është shtyrë afati për tenderët e deponive moderne në Pollog dhe dy rajonet tjera