Përplasja mes presidentit Millatoviq dhe zëvendëskryeministrit Gjeloshaj përfundoi në Prokurori
Në Prokurorinë Themelore në Podgoricë, të mërkurën, janë marrë në pyetje zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas autoriteteve, dëshmitë janë dhënë pas ankesës së Millatoviqit në polici se më 1 gusht Gjeloshaj i kishte dërguar mesazhe kërcënuese.
Gjeloshaj tha se para prokurorit ka mohuar të ketë kërcënuar presidentin e shtetit dhe sqaroi se është marrë në pyetje në cilësinë e qytetarit.
“Më vjen keq që (Millatoviq) na futi në këtë cirk – për qytetarët, për mua personalisht dhe për strukturën politike që përfaqësoj”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Millatoviq tha se, përveç mesazheve tashmë të raportuara, “kërcënimet kanë vazhduar edhe nga persona të afërt me Gjeloshajn”.
“Është e papranueshme që presidenti të kërcënohet gjatë ushtrimit të detyrës. Çfarë duhet të presin gjyqtarët kur japin vendime, apo prokurorët kur ngritin aktakuza?”, u shpreh Millatoviq.
Mesazhet e përmendura Gjeloshaj i kishte dërguar në ditën kur Millatoviq ia kishte kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme – një nismë e partive shqiptare, përfshirë Alternativën Shqiptare që drejton Gjeloshaj.
Pas kësaj, nga kjo parti i dërguan mesazh presidentit se “nuk është më i mirëpritur në Malësi”.
Gjeloshaj ishte kryetar i komunës së Tuzit – qendër e rajonit të Malësisë, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë shqiptarët – deri në vitin 2023.
Presidenti Millatoviq i ka bërë thirrje kryeministrit, Millojko Spajiq, që të shkarkojë Gjeloshajn për shkak të kërcënimeve.
Qeveria ende nuk ka reaguar, ashtu si edhe partitë e shumicës parlamentare.
Ku plasi problemi?
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ktheu në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Tatimin mbi Pasuritë e Paluajtshme, duke argumentuar se ai “cenon barazinë kushtetuese të qytetarëve” dhe vendos fermerët në pozita të pabarabarta, në varësi të komunës ku veprojnë.
Ai po ashtu theksoi se ligji përfshin dispozita me fuqi prapavepruese, gjë që ndalohet nga Kushtetuta e Malit të Zi.
Nga kabineti i tij theksuan se reagimi i zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj mund të jetë i lidhur me mosmarrëveshjet shumëvjeçare gjyqësore mes Komunës së Tuzit – të cilën më parë e drejtonte Gjeloshaj – dhe kompanisë shtetërore “13 Korriku – Pllantazhe”, lidhur me përllogaritjen e taksave për tokën bujqësore.
Më shumë se 70 për qind e tokës së kompanisë “Pllantazhe” ndodhet në territorin e komunës së Tuzit, e cila mbledh tatimin mbi pasuritë e paluajtshme në atë zonë.
Ligji në fjalë u jep komunave të drejtën të caktojnë vetë normën e tatimit për pasuritë që ndodhen në territorin e tyre dhe që përdoren për bujqësi. Për më tepër, ligji parashikon që këto rregulla të reja të zbatohen edhe në mënyrë prapavepruese, përfshirë rastet që janë aktualisht në proces gjyqësor.
Komuna e Tuzit dhe “Pllantazhe” janë përfshirë në një mosmarrëveshje gjyqësore që nga viti 2019, kur Gjeloshaj ishte kryetar komune. Kontesti u ngrit pas faturimit nga Komuna e Tuzit për më shumë se dy milionë euro tatim për një periudhë trevjeçare.
Gjykata vendosi në favor të kompanisë “Pllantazhe” dhe i urdhëroi komunës të kthejë shumën e mbledhur në mënyrë të paligjshme.
Nga “Pllantazhe” paralajmëruan se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, do të legalizohej praktika e mëparshme e Komunës së Tuzit për mbledhjen e taksave të larta.
Ndërkaq, partitë shqiptare që e kanë propozuar ligjin theksojnë se qëllimi është të mundësohet “një shpërndarje më e drejtë e të ardhurave nga shfrytëzimi i territorit komunal”.