Përmes falsifikimit të dokumenteve, dyshohet se dëmtoi me 90 mijë euro KME “Manastir” 

Polica e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj 46 vjeçarit nga Manastiri nën dyshimet se e ka dëmtuar buxhetin e Kombinatit ë Minierave dhe Energjisë “Manastir” me 90 mijë euro, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj 46 vjeçarit M.T. nga Manastiri për shkak dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “shfrytëzim i dokumenteve me përmbajtje të pavërteta””, raportoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

I dyshuari, si udhëheqës i kompanisë nga Novaci, në prill dhe maj të vitit 2024 përmes tejkalimit të kompetencave, e ka dëmtuar buxhetin e KME “Manastirit” me 5.4 milionë denarë.

Ndryshe, pronari i “Markovski kompani” dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë, Borçe Markovski, në muajin janar është liruar nga paraburgimi. Garancia që ai ka dhënë se nuk do të arratiset kap vlerën prej gati 5 milionë eurosh në pasuri të paluajtshme.

Prokuroria e Manastirit ngriti aktakuzë kundër pronarit të “Markovski Kompani”, Borçe Markovski, dy të punësuarve të tjerë në kompani, si dhe kundër pesë ish-drejtuesve në REK Manastir, mes të cilëve edhe ish-drejtori Pece Matevski.

Ata akuzohen për keqpërdorime me tenderin për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera Osllomej në minierat e Manastirit, me vlerë 106 milionë denarë, respektivisht 1.7 milionë euro.

Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.