Gjykata e shqyrtoi ankesën e Prokurorisë Publike të Manastirit: Markovski shkon në paraburgim
Këshilli Penal i Gjykatës Themelore në Manastir e pranoi propozimin e Prokurorisë Themelore Publike të Manastirit dhe pronarit të dyshuar të personit juridik “Markovski Kompani”, Borçe Markovskit, iu caktua masa e paraburgimit, transmeton Portalb.mk.
“Ankesa dhe argumentet e paraqitura nga Prokuroria e Manastirit, veçanërisht në lidhje me rrezikun e arratisjes së të dyshuarit, janë pranuar, dhe vendimi i gjyqtarit në procedurën paraprake është anuluar. Prokuroria Publike e Manastirit ende nuk është njoftuar për vendimin pas ankesës së paraqitur kundër masës së arrestit shtëpiak për menaxherin e dyshuar në REK”, njoftoi Prokuroria.
Prokuroria e Manastirit dje paraqiti ankesë kundër vendimit të Gjykatës, i cili parashikonte që dy nga tetë të dyshuarit në hetimin për abuzime me prokurimin publik në REK “Manastir”, të vendosen në arrest shtëpiak. Prokuroria e Manastirit kërkoi masë efektive paraburgimi, duke përmendur rrezikun e arratisjes së të dyshuarve.
Bëhet fjalë për njërin nga menaxherët e Minierave në REK “Manastir” dhe Borce Markovskin, pronarin e kompanisë “Markovski Company”, e cila më parë fitoi tenderë në Kombinat dhe e cila, si person juridik, dyshohet në këtë rast.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë. Prokuroria Themelore Publike në Manastir dje lëshoi urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tetë personave dhe një personi juridik për vepra të vazhdueshme penale që lidhen me prokurimin publik në REK Manastir. Me aktivitetet para-hetimore të Drejtorisë së Policisë Financiare në muajt e fundit, u siguruan prova që japin dyshim të arsyeshëm se pesë të dyshuar në REK Manastir (ish-drejtori i uzinës dhe katër menaxherë dhe drejtorë në PE MIniera në REK Manastir), gjatë vitit 2023, si bashkëkryerës, kanë kryer një vepër penale të vazhdueshme – Shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.