Përdorimi i metodave bashkëkohore në procesin arsimor te nxënësit me nevoja të veçanta

Mësimdhënës të Shkollës Fillore Komunale “Imri Elezi” kanë kryer projektin njëvjeçar në lidhje me zbatimin e metodave bashkëkohore te nxënësit me nevoja të veçanta, brenda dhe jashtë institucioneve.

Trajnimet e ndara në katër pjesë, u realizuan në katër periudha me ndihmën e trajnuesve të specializuar nga Kroacia. Dy trajnime janë mbajtur në Sllatinë të Kroacisë, tjetri në Split të Kroacisë dhe i fundit në Pragë të Çekisë.

Në çdo trajnim kanë marrë pjesë tre pjesëmarrës. Projekti është realizuar në kuadër të platformës evropiane Erasmus+, prej nga edhe janë siguruar mjetet financiare. “Pa stres. Ndërtimi i qëndrueshmërisë për një të nesërme më të mirë” titullohet projekti.

Në trajnim janë përfshirë shembuj të ndryshëm rreth raporteve ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve, shembuj që shërbyen për të nxjerrë vërejtje dhe këshilla në zhvillimin e procesit edukativ dhe arsimor te nxënësit me ADHD, autizëm dhe vështirësi tjera.

Aty u shtjelluan edhe metodat e reja në zhvillimin e procesit arsimor në shekullin XXI, si “Bashkimi i pjesëve të figurave”, “Mësimi i bazuar në kërkim”, “Mësimi i bazuar në projekt”, “Klasa e kthyer”, “Të mësuarit me bashkëpunim” dhe “Mësimi i bazuar në probleme”.

Mësimdhënësit shfrytëzuan këto ditë edhe për të vizituar objekte dhe vende të rëndësishme kulturore, historike, turistike e ekologjike, duke mos anashkaluar edhe familjet dhe bizneset e bashkatdhetarëve tanë në Kroaci, Hungari, Austri dhe Çeki.