Përderisa droga lulëzon mes të rinjve, asnjë kryetar në Pollog nuk është dënuar për mosthemelimin e këshillave komunal kundër delikuencës
Pjesa e tretë e storjes
Përdorimi i drogës nga nxënësit e shkollave të mesme në Pollog mbetet shqetësues, ndërsa shumë komuna ende nuk kanë mekanizma funksionalë për parandalimin e kësaj dukurie. Hulumtimi i Portalb.mk tregon se këshillat komunalë për parandalimin e delikuencës së të miturve ose mungojnë, ose funksionojnë vetëm formalisht, çka e institucioneve dobëson sistemin lokal të parandalimit.
Pas rezultateve të hulumtimit dhe shifrave zyrtare të përdorimit të narkotikëve nga nxënësit e shkollave të mesme në rajonin e Pollogut, Portalb.mk hulumtoi nëse nëntë komunat e këtij rajoni e kanë përmbushur detyrimin sipas Ligjit të drejtësisë për fëmijët, ku janë të detyruara të themelojnë këshilla komunal për parandalimin e kësaj dukurie.
Konkretisht, Neni 158, paragrafi 1 i këtij ligji thotë se “Kryetarët e komunave, kryetarët e komunave në qytetin e Shkupit dhe kryetari i qytetit të Shkupit u propozojnë këshillave të komunës, këshillave të komunave në qytetin e Shkupit dhe këshillit të Qytetit të Shkupit të emërojë Këshillin për parandalimin e delikuencës së fëmijëve”.
Nëse kjo nuk bëhet, sipas Nenit 160 parashihen gjoba për kryetarët e komunave, konkretisht neni thotë:
“Me gjobë në shumë prej 300 deri 500 euro në denarë do t’i shqiptohet kryetarit të komunës, kryetarëve të komunave në qytetin e Shkupit dhe kryetarit të qytetit të Shkupit të cilët nuk do ta përmbushin obligimin nga neni 158 paragrafi (1) i këtij ligji.”
Megjithatë kjo në praktikë lë shumë për të dëshiruar.
Si qëndron situata në Pollog?
Komuna e Tetovës, si më e madhja në këtë rajon ka themeluar Këshillin Komunal për parandalimin e delikuencës më 17 maj 2023 dhe përbëhet nga 17 anëtarë nga institucione të ndryshme. Ky këshill ka qenë aktiv që atëherë duke realizuar aktivitete të ndryshme parandaluese.

Por Komuna e Gostivarit si një nga më të mëdhatë në rajon nuk ka formuar ende këtë këshill.
“Komuna e Gostivarit është e vetëdijshme për obligimin ligjor për themelimin e këtij këshilli, aktualisht janë duke u shqyrtuar të gjitha aspektet organizative dhe baza ligjore për tu themeluar”, thanë nga Komuna e Gostivarit.
Një tjetër komunë që e ka themeluar këtë këshill që në 2023 është Bogovina.
“Nuk kemi program pune për vitin 2025 dhe nuk kemi buxhet të ndarë për vitin 2025 për shkak të mungesës së mjeteve”, thanë nga Komuna e Bogovinës.
Komuna e Zhelinës na njoftoi se “është në procedurë për themelimin e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës te të rinjtë”.
Ngjashëm, nga Komuna Mavrovë Rostushë thanë se nuk kanë të themeluar këtë këshill.
“Ky organ planifikohet të formohet më së voni deri në muajin qershor”, thanë nga Komuna Mavrovë Rostushë.
Ndërkaq në Komunën e Bërvenicës nuk ka këshill të veçantë komunal, por nga komuna thonë se administrata e komunës ndan mjete nga zëri buxhetor për programin “Administrata” për aktivitete që lidhen me parandalimin e delikuencës së fëmijëve, sipas nevojës dhe rasteve aktuale.
“Me këto mjete mbështeten aktivitete si: programe edukative në shkolla, mbështetje për familjet dhe shërbimet sociale, fushata parandaluese afatshkurtra, trajnime për mësues dhe administratë. Shpërndarja e mjeteve bëhet në mënyrë fleksibile, në përputhje me nevojat dhe prioritetet aktuale të komunës, me qëllim efikasitetin maksimal dhe mbrojtjen e fëmijëve”, thanë nga Komuna e Bërvenicës.
Këtë këshill nuk e ka të themeluar as Komuna e Tearcës, ndërsa Komuna e Vrapçishtit dhe ajo e Jegunovcës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.
Institucionet luajnë ‘ping-pong’ me përgjegjësinë
Ministria e Drejtësisë nuk disponon të dhëna për këto këshilla dhe nëse ndonjë komunë është gjobitur për mosthemelimin e tyre.
“Për këtë çështje, duhet t’i drejtoheni Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së të Miturve, i cili është i pavarur dhe i pavarur në ushtrimin e detyrave të tij dhe ka kompetenca për njohjen më të gjerë të qytetarëve me të drejtat e të miturve. Nga Këshilli do t’i merrni të gjitha informacionet e nevojshme për formimin e këshillave komunalë dhe evidencën që ata mbajnë”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, nga Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës te të Miturit thonë se këshillat komunal për parandalim të delikuencës kanë rol thelbësor në adresimin e sjelljeve devijante, por që sipas tyre çalojnë në praktikë.
“Fatkeqësisht, është fakt se në rajonin e Pollogut vërehet mungesë e dukshme e interesimit dhe angazhimit për formimin dhe funksionimin e këtyre këshillave, gjë që e dobëson seriozisht sistemin e parandalimit pikërisht aty ku është më i nevojshëm”, thanë nga Këshilli Shtetëror i Delikuencës.
Këshilli Shtetëror thekson se nuk mjafton që këshillat të ekzistojnë vetëm formalisht.
“Por është e nevojshme që ato të funksionojnë realisht, me kapacitet të plotë dhe me programe konkrete që do të kontribuojnë në bashkimin e resurseve lokale dhe në parandalim efektiv. Shembujt pozitivë nga komunat ku këshillat janë aktivë tregojnë qartë se një qasje e tillë jep rezultate dhe duhet të shërbejë si model për komunat e tjera”, thanë nga Këshilli Shtetëror i Delikuencës.
Këshilli Shtetëror thekson nevojën për ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, me të cilat do të përcaktohen qartë obligimet dhe përgjegjësia e kryetarëve të komunave dhe e këshillave komunalë në rast të mosformimit të këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së të miturve.
Inspektorati i pushtetit lokal nuk ka shqiptuar gjoba
Nga Inspektorati Shtetëror i Vetëqeverisjes Lokale e konfirmuan për Portalb.mk se nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë për komunat që nuk i kanë themeluar këto këshilla.
“Inspektorati Shtetëror i Vetëqeverisjes Lokale është organ kompetent për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së rregulloreve të miratuara nga këshilli i komunës në kuptim të nenit 3 të Ligjit të Inspektoratit Shtetëror të Vetëqeverisjes Lokale, ku në rastin konkret parashtresa juaj nuk përputhet me kompetencën tonë, gjë që nuk mundemi ne si organ t’i obligojmë kryetarët e komunave që të formojnë këshillat komunal për parandalimin e delikuencës së të miturve”, thanë nga Inspektorati i Vetëqeverisjes Lokale.
Ahmedi: Këshillat mund të jenë funksional dhe të kenë ndikim
Për atë se si funksionon në praktikë këshilli komunal për parandalimin e delikuencës te të miturit biseduam me profesoreshën Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës në Komunën e Tetovës.
Ajo thotë se një nga arsyet kryesore pse shumë komuna ende nuk i kanë themeluar apo funksionalizuar këshillat komunal për parandalimin e delikuencës së të miturve lidhet me mungesën e prioritizimit institucional, kapaciteteve profesionale dhe koordinimit ndërmjet institucioneve lokale.
Në praktikë, profesoresha sqaron se shpesh mungon vetëdija për rëndësinë që kanë këto mekanizma në aspektin preventiv, ndërsa në disa raste ato mbeten vetëm formalisht të parashikuara, pa aktivitete konkrete dhe pa mbështetje të mjaftueshme nga institucionet relevante.
Megjithatë, ajo thotë se këto këshilla janë jashtëzakonisht të rëndësishëm sepse krijojnë hapësirë për bashkëpunim ndërsektorial ndërmjet komunës, policisë, shkollave, qendrave për punë sociale, ekspertëve dhe organizatave të tjera, me qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e dukurive negative te të rinjtë.

“Nga përvoja e Këshillit në Komunën e Tetovës, mund të them se aktivitetet preventive dhe edukative kanë rëndësi të veçantë, sidomos kur realizohen drejtpërdrejt me nxënësit në shkollat fillore dhe të mesme. Në bashkëpunim me SPB Tetovë, Qendrën për Punë Sociale, psikologë, sociologë dhe profesionistë të tjerë deri më tani janë realizuar punëtori dhe diskutime për tema që lidhen me dhunën mes moshatarëve, pasojat juridike të delikuencës së të miturve dhe pasojat negative të përdorimit të substancave narkotike. Përmes këtyre aktiviteteve, të rinjtë kanë pasur mundësi të diskutojnë hapur dhe të vetëdijesohen për efektet negative që sjell përdorimi i narkotikëve në aspektin shëndetësor, social dhe juridik”, tha Ahmedi.
Ajo shton se, kjo çështje duhet të vazhdojë të trajtohet edhe më tej në aspektin preventiv, përmes një bashkëpunimi të vazhdueshëm ndërsektorial dhe përfshirjes aktive të të gjitha institucioneve relevante, sepse vetëm një qasje e koordinuar dhe afatgjatë mund të japë rezultate të qëndrueshme në mbrojtjen e të rinjve nga dukuritë devijante dhe përdorimi i substancave narkotike.
Ndryshe, një hulumtim i ngjashëm i Portalb.mk në vitin 2023 tregoi se nga gjithsej 81 komuna në vend vetëm 33 kishin themeluar Këshill Komunal për Parandalimin e Delikuencës te Fëmijët.
Storja vazhdon…
Lexo storjet paraprake: