Për tre muaj në Onkologji do të ketë akcelator të ri, paralajmëroi ministri Mexhiti

Për tre muaj, në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë pritet të lëshohet në përdorim akcelatori i ri, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti gjatë vizitës së sotme në klinikë, transmeton Portalb.mk.

Sipas Mexhitit, pas instalimit të akcelatorit të ri, i cili është blerë para shtatë vitesh, në dispozicion të klinikës do të ketë katër akcelatorë të cilat do të jenë për nevojat e pacientëve me sëmundje malinje.

“Në pajtueshmëri me dinamikën e paraparë në të cilën janë të përfshira fazat e instalimit të sistemit, matjes, kalibrimeve dhe modelimeve, lëshimi përfundimtar në përdorim pritet të realizohet për periudhë prej tre muajsh”, thotë Mexhiti.

Ministri, gjithashtu shtoi se përpara disa ditësh janë kryer edhe konsultimet e fundit me përfaqësuesit për sistemin KATO, përpara shpalljes së tenderit të nevojshëm për kthimin e këtij sistemi në funksion.

“Sistemi KATO do të rikthehet në funksion me mjetet e siguruara me rebalancin e Buxhetit, ndërkaq me vendosjen e tij në funksion do të sigurojmë dozim preciz, ruajtje të sigurt të citostatinave dhe mbrojtje afatgjate nga keqpërdorimet e mundshme”, shtoi Mexhiti.

Në pyetje, se kur do të lëshohej në përdorim sistemi KATO, Mexhiti tha se nuk mund të tregojë me siguri, por tha se pret që të jetë gati deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Ndryshe, tanimë disa muaj Klinika e Onkologjisë është në shënjestër të kritikave për shkak të skandalit me barnat, të cilin e zbardhën mediat. Sipas storjeve gazetareske, disa prej punonjësve në Klinikën e Onkologjisë, i kanë vjedhur barnat e shtrenjta për të sëmurët me kancer me qëllim që t’i shesin në të zezë. Shumë prej pacientëve janë detyruar t’i blejnë barnat në të zezë, pavarësisht se shteti ato barna i ka siguruar për ata. Për këtë, në 1 shtator 2023, pjesëtarët e MPB-së, me urdhër të Prokurorisë kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup.

Autoritetet policore kanë konfiskuar disa kompjuterë, të dhëna dhe dokumentacione, të cilat do të jenë të nevojshme për fazën e hetimit.

Së fundmi, gjegjësisht më 2 nëntor, Prokuroria njoftoi se për lëndën në fjalë janë siguruar dokumentet zyrtare nga ky institucionet në lidhje me raportin financiar nga 1 janari i vitit 2015 deri në mars të vitit 2023.