Tri kompani të interesuara për tenderin e stacionit të kompresorit në Qendrën Klinike Shkup
Tri kompani deri më tani kanë shprehur interesim për tenderin për stacionin e kompresorit të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Informacionin për MIA-në e konfirmoi Stojçe Nikollovski, ekspert për vizita në terren, përgjegjës i komisionit dhe udhëheqës i Departamentit për punë teknike nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikave universitare dhe qendrave emergjente – Shkup.
“Tri kompani të interesuara kanë vizituar lokacionin për të parë se çfarë do të duhet të blihet dhe ku të vendoset”, sqaroi Nikollovski në një deklaratë për MIA-në.
Në muajin maj, sallat operative të Qendrës Klinike u mbyllën për shkak të erës së pakëndshme.
Për intervenime emergjente pacientët janë drejtuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” dhe në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”.
Është shpallur tender për blerjen e një stacioni të ri kompresor, i cili dështoi për shkak se nuk ishte marrë asnjë ofertë.
Tenderi i ri përfundon më 12 shtator dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, shprehu shpresën se tani do të aplikojë ndonjë kompani.
“Shpresoj që të paraqiten, që të paktën nëse është e mundur ta zgjidhim këtë problem deri në fund të vitit”, është përgjigjur Taravari gjatë një vizite në Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive.
Më herët, në fund të korrikut, ministri tha se nuk mund të parashikojë nëse do të konkurojnë kompanitë, por se ky problem nuk duhet të zgjatet.
Në atë kohë ai nuk përjashtoi negociatat e drejtpërdrejta mes Ministrisë dhe një kontraktori, nëse nuk do të shfaqej ndonjë kompani e interesuar.
Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.
Më 29 korrik, ministri Arben Taravari theksoi se në sistemin klinik për furnizimin me oksigjen është gjetur formaledih, e cila shkakton irritim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, syve dhe hundës dhe mund të shkaktojë alergji dhe inflamacione, ndërsa gjatë një ekspozimi afatgjatë mund të jetë edhe kancerogjen.