Ekspozitë: 150 vjetori i ardhjes së trenit të parë në Shkup

Sot, më datë 9 gusht, hapet ekspozita:  “150-vjetori i lidhjes së Shkupit me hekurudhë” në Galerinë Nacionale “Stacioni i vogël” në Shkup, me fillim në orën 18.00. Ekspozita që shënon historikun e hekurudhave në Maqedoni përmban fotografi të vjetra të hekurudhës, stacionit, trenave, harta, etj. Përmban gjithsej 23 fotografi të përzgjedhura. Ekspozita do të qëndrojë e hapur një javë, duke filluar nga sot në Galerinë Nacionale “Stacioni i vogël” , njofton Portalb.mk

Afishe e ekspozitës
Afishe e ekspozitës

Ekspozita organizohet nga Shoqata kulturore “AKSES” – Shkup, ndërsa analizatorë të projektit janë historianët nga Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve Besnik Emini dhe Ardian Limani. Duke qenë se autorët e kësaj ekspozite janë dhe historianë kërkuam që të risjellin shkurtimisht historikun e kësaj dite  për lexuesit e Portalb.mk, që shënon dhe ardhjen e trenit të parë në Maqedoni.

Besnik Emini, historian
Besnik Emini, historian

Sipas historianit Besnik Emini gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX kishte disa plane për të ndërtuar një hekurudhë në Perandorinë Osmane. Disa nga këto plane, siç thotë ai, do të realizoheshin në Ballkan, për shkak se Perandoria Osmane nuk kishte mundësitë teknike për ta ndërtuar vetë këtë infrastrukturë, filloi negociatat me subjekte, qeveri, kompani dhe personalitete të ndryshme evropiane.

“Pjesa evropiane e Perandorisë Osmane kishte prioritet në projektin për ndërtimin e hekurudhës, duke lidhur Stambollin me rrjetin hekurudhor evropian përmes Sarajevës, i cili më vonë kaloi nën administrimin austro-hungarez. Por ka pasur edhe plane për lidhjen e porteve të rëndësishme me pjesën e brendshme të vendit. Një nga këto plane ishte linja hekurudhore Selanik-Shkup-Prishtinë-Mitrovicë. Transporti hekurudhor ishte një mënyrë transporti e shpejtë dhe për këtë arsye Perandoria donte të përfitonte prej tij në aspekte të ndryshme, për përmirësimin e situatës ekonomike, por edhe transportimin e shpejtë të trupave të saj ushtarakë në rajon. Kishte gjithashtu qeveri evropiane të cilat ishin të interesuara t’i jepnin kredi Perandorisë Osmane për të ndërtuar hekurudha duke kërkuar një mënyrë më të mirë për të pasur akses në tregjet osmane. Traktati i Berlinit i vitit 1878 pati një ndikim shumë të rëndësishëm në korridoret e reja hekurudhore të cilat u ndryshuan nga planet e mëparshme, sepse u ndryshua harta e Ballkanit, e për rrjedhojë edhe prioritetet hekurudhore”, thotë Emini.

Ai shton se lidhjet hekurudhore që u ndërtuan gjatë Perandorisë Osmane modernizuan transportin dhe patën një ndikim të madh në zhvillimin e rajonit dhe bënë të mundur që udhëtimi drejt dhe nga kryeqyteti i Perandorisë të ishte më i shkurtër se kurrë.

Ardian Limani, historian
Ardian Limani, historian

Nga ana tjetër, historiani Ardian Limani Perandoria Osmane gjatë periudhës së sundimit të Sulltan Abdylhamidit II i kishte dhënë një rëndësi shumë të madhe ndërtimit të hekurudhave.

“Iradeja (dekreti) ishte shpallur në vitin 1871, më të cilin përcaktoi vendimin për pajisjen e Perandorisë me një rrjet hekurudhor. Rrjeti që donte të realizonte ai, do të kishte si linjë kryesore linjën Stamboll-Bagdat prej nga do të vazhdonte ta ndërtonte vazhdimin e saj deri ne Medine, e njohur si hekurudha Hixhaz. Përveç kësaj, ai kishte kishte në plan ndërtimin e linjës hekurudhore edhe me Detin Mesdhe dhe Detin e Zi të cilat do të ishin si krahë të këtij rrjeti. Në anën perëndimore, Sulltan Abdylhamidi II kishte në plan të lidhte Stambollin me Vjenën, e kjo hekurudhë do të duhej të kalonte mespërmes tokave shqiptare (Vilajetit të Manastirit dhe Kosovës). Ishte vazhdimi i linjës Stamboll – Selanik e cila në periudhën 1890-1894 vazhdoj Selanik-Manastir me 219km. Kjo linjë do të vazhdonte deri në Shkup, ku me 9 gusht 1873 arriti treni i parë i cili një vit më pas do të vazhdonte rrugëtimin e tij deri në Fushë Kosovë, prej nga do të vazhdonte drejtë Mitrovicës. Planet e Sulltanit ishin që kjo hekurudhë nga Mitrovica të vazhdonte në Sanxhak,  Bosnje e kështu deri në Vjenë, mirëpo pas një presioni të Serbisë, kjo linjë do të përfundoj në Mitrovicë, ndërsa nga Shkupi do të vazhdonte një linjë e re drejt Vjenës, por kësaj radhe përmes Serbisë e cila nuk do mbetet jashtë lidhjes hekurudhore e cila më vonë do të marr emrin Orient Exspres. Politika hekurudhore e Sulltan Abdylhamidit II solli përfitime mjaft të dobishme për vendin. Nga njëra anë hekurudha siguroi lehtësinë e transportit të njerëzve dhe mallrave, ndërsa nga ana tjetër, në kohë betejash të transortit të shpejtë të trupave ushtarak, armatimit dhe municioneve”, thotë Limani.

Sigurisht, linjat hekurudhore janë modernizuar, gjejmë akoma shumë njerëz të cilët i përdorin trenat në përgjithësi në përditshmërinë e tyre, sidoqoftë, ja një mundësi e mirë për të risjellë në vëmendjen tonë trenat, përmes ekspozitës së sipërpërmendur.