Pendarovski: Nga inxhinierët e rinj varet nëse një vend do të përparojë apo do të stagnojë

Presidenti Stevo Pendarovski foli me rastin e hapjes së Konferencës së 51-të Evropiane të inxhinierëve të rinj, e organizuar për herë të dytë nga Klubi i inxhinierëve të rinj në Institucionin inxhinierik të Maqedonisë. Konferenca me temën “Lidhja e shtigjeve të inxhinierëve” ka nisur dje dhe do të zgjasë deri më 8 tetor, në Fakultetin e Shkencave Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit (FETI), nën patronatin e Presidentit, transmeton Portalb.mk.

Në hapje të konferencës folën kryetarja e Institucionit inxhinierik të Maqedonisë, Hristina Spasevska, kryetarja e Klubit të inxhinierëve të rinj, Tina Manoleva dhe kryetari i Inxhinierëve të rinj evropianë, Paul Jenkinson.

“Jam i kënaqur që Organizata e Inxhinierëve të Rinj Evropianë ka pranuar mikpritjen tonë virtuale nga viti 2020 për ta plotësuar atë me një prani fizike në këtë konferencë të inxhinierëve të rinj. Slogani i konferencës së sivjetshme është: “Lidhja e shtigjeve të inxhinierëve”. Këto fjalë përmbajnë thelbin e punës suaj, sepse inxhinieria është aftësia e gjetjes së zgjidhjeve të problemeve praktike përmes asaj që ne në mënyrë figurative e quajmë lidhjen e pikave”, tha Pendarovski.

Mes shumë pasigurive që sjell revolucioni i katërt industrial, shtoi ai, një gjë është e sigurt – profesioni i inxhinierit do të luajë një rol edhe më të rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.

“Nga ju do të varet më shumë se kushdo tjetër nëse një vend dhe një ekonomi do të përparojë apo do të ngecë, sepse ju lidhni pikat e zhvillimit dhe ndërtoni shtigjet për të ardhmen. Prandaj është detyra jonë të forcojmë partneritetin mes shtetit, shkencës, ekonomisë dhe sektorit civil për të mundësuar arsim cilësor inxhinierik. Ne duhet të investojmë në ekosistemet inovative që tërheqin investime, gjenerojnë vende pune cilësore dhe mbajnë të rinjtë në vend. Ju, inxhinierët e rinj, jo vetëm në letër, por edhe në jetën reale, duhet të jeni shtytës të ndryshimeve pozitive”, tha Presidenti në fjalën e tij.